BDI nuk ka pasur asnjë takim të anëtarëve të kryesisë për të sjellë qëndrimin rreth vendimit të shpërbërjes së Kuvendit. Por, ka mjaftuar mbledhja e Kryesisë së VMRO –DPMNE-së, që deputetët e partisë së Ali Ahmetit të mblidhen për disa minuta në Kuvend dhe votojnë ashtu siç ka propozuar partia e Nikolla Gruevskit.

Nga BDI gjatë ditës së djeshme nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar për mbledhje të organeve të partisë dhe për marrjen e ndonjë vendimi partiak. TV SHENJA, pyeti në BDI për të konfirmuar nëse janë takuar ose jo për të marrë vendim para votimit të shpërbërjes së Kuvendit, por nuk morëm asnjë përgjigje. Tepër e habitur nga vendimi i i këtillë u shpreh edhe deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti e cila shpreh qëndrime publike kundër politikave aktuale të BDI-së. Mehmeti potencoi se si anëtare e kryesisë së partisë nuk është njoftuar dhe nuk është thirrur në ndonjë mbledhje të organeve.

“Pavarësisht qëndrimeve të mija, nuk jam e informuar se kryesia e partisë ka diskutuar me këtë vendim të djeshëm dhe me aktin e votimit. Dhe kjo po ashtu më shqetëson, sepse tregon se ne mund të anashkalojmë organet partiake, mund të mos respektojmë vendimet partiake dhe mund të marrim vendime të kontestueshme jo kushtetutare dhe jo legjitime për sa i përket proceseve demokratike. Dhe nuk është e vërtetë se të gjitha partitë kanë mbështetur dje shpërbërjen e parlamentit, e ka mbështetur vetëm koalicioni qeverisës VMRO-BDI”, tha deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Ajo thotë se shpërbërja e djeshme është bërë jashtë çdo procedure. Sipas Mehmetit, kjo nënkupton se shumica parlamentare në një shtet si Maqedonia me demokraci të rrënuar mund të bëjë çfarë të dojë me institucionet, aktet ligjore, Kushtetutën e vendit, si rezultat i vullnetit personal politik. Veprime të cilat janë tepër shqetësuese.

“Me duket edhe një akrobacion për mos të thënë një aventurë nga VMMRO-DPMNE-ja që ka për qëllim që asaj t’i sjellë një pozicion më të mirë ndoshta në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme. Mua më shqetëson fakti se me aktin e djeshëm dhe votimin e djeshëm, Parlamenti në fakt ka suspenduar Kushtetutën dhe mendoj se Maqedonia dje praktikisht ka hyrë në një fazë ku Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit është suspenduar.”, theksoi deputetja Mehmeti.

Dje, para se të propozojë shpërbërjen në Kuvend, VMRO-DPMNE paraprakisht mblodhi organet më të larta partiake dhe partnerët e koalicionit dhe më pas doli me qëndrim se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill. Arsyetimin e ngjashëm të deputetëve të VMRO-DPMNE-së për shpërbërjen e Kuvendit e kanë bërë edhe nga grupi parlamentar i BDI-së.(Shenja)

parlament