Partitë opozitare shqiptare kundërshtojnë vendimin e djeshëm për zgjedhje në 24 prill. Sipas tyre, kjo ju mundëson partive në pushtet që të vazhdojnë me manipulimin e procesit zgjedhor prandaj qëndrimi i tyre është i qartë, ose të krijohen kushte ose nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Për kryetarin e RKD-së, Vesel Memedi, vendimi i djeshëm ishte jodemokratik dhe arrogancë e partive politike në pushtet por duke mos anashkaluar as PDSH-në.

“RDK nuk do të shkojë asnjëherë në zgjedhje pa zgjidhje të problemeve kruciale që e ngulfasin vendin në këto 25 vite të pluralizmit në vend. Për ne, zgjedhjet do të jenë korrekte dhe të drejta vetëm atëherë kur të zgjidhen jo vetëm çështjet që kanë të bëjnë më zgjedhjet por në të njëjtën kohë me çështje që kanë të bëjnë me vetë shtetin që e kanë ngulfat për këto 5 vitet e pluralizmit në vend”, tha Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.

Edhe për Lëvizjen BESA akti i djeshëm ishte jodemokratik kurse partitë përgjegjëse vazhdojnë skenarin e keqpërdorimit të zgjedhore. Kryetari Bilall Kasami thotë se shpresa është te faktori ndërkombëtar.

“Po të krijohen kështu kushte që të ketë shprehje të vullnetit të lirë të qytetarëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve në veçanti, ne jemi të gatshëm që nesër të marrim pjesë në zgjedhje por në këtë moment, ne vlerësojmë se ata kushte nuk ekzistojnë, veçanërisht pas aktit të mbrëmshëm dhe ne presim që faktori ndërkombëtar të intervenojë, forcat politike të reflektojnë, edhe njëherë të rishikohen vendimet e marra dhe të merremi vesh të kemi vullnet të lirë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes “BESA”.

Kryetari i UNITET-t, Gëzim Ostreni thotë se partia e tij është e gatshme zgjedhje por nuk preferon të bëhet pjesë e një sistemi që manipulon zgjedhjet.

“Ne mendojmë se nuk janë krijuar kushte normale për zgjedhje të mira dhe demokratike në të cilat UNITETI do të merrte pjesë. Prandaj në këto kushte edhe pse ne nuk kemi pas mbledhje konkrete të kryesisë për të sjellë një vendim kolektiv por mendoj se në qoftë se kështu vazhdohet, besoj se UNITETI nuk do të merr pjesë në zgjedhje”, tha Gëzim Ostreni, kryetar i UNITETI-t.

Opozita ka mbështetur shpresën te përfshirja më aktive e ndërkombëtarëve në procesin parazgjedhor dhe zgjedhor me ç’rast do të krijohet kushte për zgjedhje më të besueshme.(Alsat-M)

opozita