Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë sot në Kuvendin e Kosovës se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve.

Deklarata disi e papritur u bë gjatë një fjalimi të mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë.

“Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë kryeministri Rama.

“Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e nacionales. Por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, shtoi Rama.
Kujtojmë që Rama është kritikuar së fundmi nga Haradinaj për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, pas deklaratave të tij mbi demarkacionin.