Ndërsa i dërguari Special i Berlinit Johanes Hanjdëll pritet të zbresë në Shkup për të ndërmjetësuar krizën politike, ambasada gjermane në vend refuzon të ofrojë çfarëdo detaji lidhur me misionin e tij. Ndërkaq ambasador i BE-së Aivo Orav theksoi se përforcimi që vjen nga Gjermania dëshmon qasjen serioze të komunitetit ndërkombëtar për krizën në vend.

“Kriza në vend është që nga viti 2012 dhe për fat të keq po vazhdon ende. Po, dje ministria e jashtme gjermane emëroi të dërguar special që tregon se sa seriozisht e konsiderojmë ne këtë krizë dhe se komuniteti ndërkombëtar po bën më të mirën që ta ndihmojë vendin të dalë nga kriza politike… Vazhdojmë të punojmë me liderët e katër partive politike por edhe me të tjerat dhe shpresoj që zgjidhja që do ti jepte fund krizës do të gjendet nëse jo gjatë orëve atëherë gjatë ditëve në vijim”, tha ambasadori i BE-së, Avio Orav.

Orav në këtë kuadër përsëriti qëndrimin e prerë të faktorit ndërkombëtar për tërheqjen e vendimit të Presidentit për falje si dhe funksionimin pa pengesa të Prokurorisë Speciale. Ndërkaq ambasadori amerikan Xhes Bejli deklaroi se pavarësisht angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës, zgjidhja varet nga liderët e partive politike.

“Zgjidhja e krizës të cilën përpiqemi ta ndihmojmë është në duart e Maqedonisë.. Ju e dini se shqetësimi ynë specifik është rreth faljes e kështu me radhë por ne vazhdojmë diskutimet me liderët politikë dhe ne duam, të paktën kështu ne mendojmë Maqedonia të kthehet në trajektoren euro-atlantike”, deklaroi ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli.

Ndërkaq partitë politikë vazhdojnë të mbeten të mbyllura për rrjedhën e bisedimeve dhe lëvizjen e mundshme nga qëndrimet e ngurta. E vetmja që u prononcua ishte LSDM-ja e cila theksoi se pret përgjigje nga VMRO-ja rreth kushteve të tyre për tërheqjen e faljes dhe thirrjen e kuvendit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.