Ben Blushi themelon partinë

Ben Blushi dhe një grup ish-socialistësh, do të zyrtarizojë sot partinë më të re në spektrin shqiptarë të politikës. Kjo forcë politike, e cila pritet të jetë e majtë por siç ka deklaruar themeluesi i saj Ben Blushi do të pozicionohet shumë më në qendër se PS-ja, do të prezantohet në ambientet e Muzeut Kombëtar në orën pesë pasdite.

Mësohet se partia e re e Blushit do të shpalos sot programin e saj, ku në fokus do të jenë të varfrit të cilët sipas idesë së themeluesve duhet të jenë në qendër të politikave qeveritare, por dyer janë të hapura edhe për shtresën e mesme të shoqërisë, si biznesi jo i madh dhe intelektualët e fushave të ndryshme.

Në takimin ku do të jetë edhe deputetja Mimoza Hafizi, Blushi do të prezantojë platformën e partisë, ndërsa do të kërkojë largimin e biznesmenëve të mëdhenj dhe kriminelëve nga Parlamenti.

Blushi do u bëjë ftesë deputetëve si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, se kush kërkon të përfaqësojë të varfrit do të jenë të mirëpritur në partinë e re. Një ftesë do të jetë edhe për të gjithë socialistët e pakënaqur me “Rilindjen” dhe për ata socialistë që nuk ndihen të përfaqësuar më nga Partia Socialiste dhe lideri i saj “tradhtar” Edi Rama.

Mësohet se Blushi e ka bërë të qartë se kjo forcë e re, nuk do të bëjë kurrë aleancë me Edi Ramën dhe Sali Berishën si individë, duke lënë kështu të hapur bashkëpunimin me PD-në nën udhëheqjen e Lulëzim Bashës, LSI-në dhe Partinë Socialiste, por pa Edi Ramën në krye të saj.

Të premten që kaloi, Blushi deklaroi largimin përfundimtar pas 20 vitesh karrierë aty, nga Partia Socialiste, përmes një letre, pas konflikteve që ka prej kohësh me Edi Ramën dhe Rilindjen. Deri më sot dihet e sigurt që kjo parti do të ketë 2 deputetë në legjislaturën e sotme, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, por nuk përjashtohen edhe supriza të tjera nga brenda radhëve të PS-së./Syri. Net