Lëvizja Besa paralajmëron mundësinë e shkeljes së Platformës së shqiptarëve nga BDI gjatë bisedimeve me partitë maqedonase për formimin e Qeverisë së Re.  Përfaqësuesi i Besës Arianit Hoxha në emisionin Rruga drejt tha se çdo koalicionim apo marrëveshje e arritur midis partive duhet të jetë transparente.

Kjo jo që është shkelja e parë, por kjo është përgatitje e opinionit  për një shkelje të re që mund t’i ndodh kërkesave të shqiptarëve. Prandaj ne qartazi themi një punë, gjithçka që do merret vesh nga kjo platformë duhet të jetë e afatizuar dhe e publikuar, që ta shohin shqiptarët se ne nuk mund të bëjmë koalicione të fshehta apo marrëveshje të fshehta të cilat ma vonë dalin si ju bëjnë dëm shqiptarëve – deklaroi Arijanit Hoxha Lëvizja Besa.

Nga Aleanca për shqiptarët për Alsat thanë se BDI duhet të negociojë për përmbushjen e çdo pike që është pjesë e Platformës së përbashkët.

   Si përfaqësohet Deklarata e Përbashkët ndaj palës maqedonase duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin përgjigje ata të cilët bisedojnë në emër të kësaj deklarate të përbashkët. Vlerësojmë se Deklarata e Përbashkët politike, në tërësi është dhe duhet të jetë parakusht për bisedimet për qeverisjen e ardhshme. Është obligim i kujtdo qoftë që flet në emër të deklaratës politike, që ti përmbahet deri në pikën e fundit, pikave të kësaj deklarate-  thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër opinionistët vlerësojnë se BDI-ja duhet sërish të iniciojë takime me partitë nënshkruese të platformës, me qëllim të informimit për ecurinë e bisedimeve për Qeverinë e Re.

Të zëmë se BDI do të negociojë me VMRO-në dhe do të merren vesh për dy ose tre pika, ndërkohë që Platforma ka shtatë pika. Për disa pika jeni pajtuar edhe ju se nevojitet votim i dyfishtë, 81 deputetë.  Në këtë kuadër mendoj se edhe ju si subjekt politik duhet të jeni më fleksibil, në kuptimin se, ta zëmë se VMRO dhe BDI do të merren vesh për çështjen e gjuhës, atëherë unë mendoj se BDI do të duhet edhe një herë të ulet me lëvizjen Besa, me nënshkruesit e Platformës dhe ti hapin letrat – tha Blerim Hyseni.
Kur bisedohet me dikë, duhet të kemi parasysh se ne fund aty ndodh kompromisi.  Këto shtatë pika që janë bërë bashkërisht këtu, në këtë rast ta zëmë se Nikolla Gruevski i pranon pesë pika, të supozojmë se pranon,  kjo nuk do të thotë se gjithçka është mbyllur në atë rast. Përsëri unë mendoj se debati duhet pastaj të vazhdoj edhe me Lëvizjen Besa, dhe ti harmonizojnë qëndrimet në këtë rast – deklaroi  Ahmet Selmani.

Opinionistët në “Rruga drejt” kërkuan nga partitë shqiptare që të mos lëshojnë pe përballë partive maqedonase dhe të kërkojmë përmbushjen e tërësishme të pikave të platformës së përbashkët.