Pas shpifjeve që i bëjnë disa portale, se gjoja Lëvizja BESA ka refuzuar takimin me ambasadorin Willaim Wolker, media-qendra e Lëvizjes BESA sqaron për opinionin se BESA nuk ka marrë asnjë ftesë nga ambasadori Wolker për takim. Në të vërtetë, në emër të tij është paraqitur një person me emrin Haxhi Dauti dhe ka kërkuar që ne të marrim pjesë në një takim të përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërsa i kemi sqaruar se do të donim ta kemi mysafir ambasadorin Wolker në zyrat e BESËS, ku do të mund ta shqyrtonim edhe mundësinë e një takimi të tillë, por kjo nuk ndodhi dhe ne nuk kemi përgjigje pse.

E meqë ndërkohë ne e kemi pranuar një Deklaratë të Përbashkët të Partive Politike Shqiptare në Maqedoni, nuk ndjenim kurrfarë nevoje të ulemi edhe një herë me ato parti të flasim për temën e unifikimit të qëndrimeve politike, ngase – sipas nesh – gjithçka që ka pasur të thuhet e të bëhet në atë drejtim është bërë dhe ne nuk kemi kurrfarë interesi tjetër nga një format i tillë i takimit.

Me këtë rast Lëvizja BESA sqaron se do të ndjehej e nderuar nga një vizitë e Ambasadorit Wolker në zyrat e saj, sepse ai për BESËN dhe për të gjithë shqiptarët është njëri ndër personazhet më të rëndësishme të kthesës së historisë shqiptare në fund të shekullit që e lamë pas!