Deklarata e lexuar nga Arburim Mustafa, anëtar i Forumit Rinor të Lëvizjes BESA – Kumanovë, lidhur me organizimin e sotëm të aksionit simbolik në Llojan për premtimet e parealizuara të BDI-së për kufirin Llojan–Miratoc:

Hapja e kufirit Llojan – Miratoc vazhdon të mbetet si premtim bosh i patericës së VMRO – DPMNE të quajtur BDI.

BDI, nëpër të gjitha fushatat zgjedhore premtoi se do ta hapë kufirin Llojan – Miratoc. Përmes këtij aksioni, të realizuar nga Rinia e BESËS – Kumanovë, risjellim në vëmendje se çdo premtim i deritanishëm i BDI-së ka qenë dhe mbetet vetëm mashtrim. Banorët e Llojanit dhe Miratocit, ndonëse janë vetëm 1.5 km larg njëri-tjetrit, në mungesë të vendkalimit duhet të sillen rrotull dhe të bëjnë 20 km rrugë.

Tashmë kanë kaluar 2 vite prej se duhej të hapej kjo pikë kufitare, por që nga atëherë e deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Të njëjta mbetën vetëm premtimet boshe të BDI-së, e cila në çdo fushatë parazgjedhore orvatet t’i mashtrojë banorët e kësaj ane me premtime të cilat kurrë nuk u realizuan.

Përmes këtij aksioni simbolik ne e pyesim BDI-në se kur do ta pres shiritin për këtë projekt të parealizuar, siç mbetën edhe shumë projekte të parealizuara të tjera.