Shkruan Faton Murseli

 

Megjithatë, mitet që në esencë, në Greqinë e Lashtë (mitologjia bazike) mëtonin të tregojnë lidhshmërinë e njeriut të rëndomtë me perëndinë e tij dhe heronjtë, natyrën dhe rëndësinë e kultit apo praktikat rituale, sot janë pjesë e historisë antike, pas idesë për institucionalizim shoqëror, që nga krijimi i shtetit si institucioni më i lartë politik dhe në trajektoren vertikale deri tek detyrat dhe obligimet e një nëpunësi të thjeshtë shtetëror.

Pikërisht në prizmin e studimit të institucioneve fetare apo politike, shkenca moderne u referohet miteve për të hedhur dritë mbi organizimet publike të qytetërimeve bashkëkohore.

Dhe, pikërisht kjo shkëputje nga mitet te institucionet bën dallueshmërinë e politikbëries dëshirore-fantastike nga ajo e prekshme dhe reale. Dhe si me peshore ekuilibruese, po ti shtohet pesha njërës, i zvogëlohet tjetrës dhe anasjelltas. Të dyja, ndaras kthehen shpejtë në mënyrë jetese. Në njërën anë mitomania dhe në anën tjetër realistika, dy dimensione shoqërore, që janë aq të theksuara edhe në aktualitetin tonë politik. Lufta ndërmjet tyre është aq e mprehtë, sa në njërën anë ngadhnjen fantazia e së dëshiruarës e në anën tjetër argumenti i realitetit.

Po përpiqem të bëj dallimin ndërmjet këtyre dy koncepteve, që  pikërisht sot duhet ta bëjë politika shqiptare në vend. Të dalë nga mësimet e gabuara të mitomanisë, ne sot duhet të përjetojmë një institucionalizim politik, të cilin e kanë tejkaluar me kohë vendet që na rrethojnë.

Partia politike si një institucion, dhe jo si fabrikë ku prodhohen mite, do të rindërtonte të ardhmen e dëshiruar dhe reale tek ne. Kjo qasje e munguar, ka bërë të shterren në hapësirë edhe njerëzit me bagazhe të larta kombëtare apo kontribues të mëdhenj shoqëror, të cilët tentuan që nëpërmjet partisë të themelojnë mitin mbi ta. Pikërisht këto “parti të reja” gjetën zhdukjen, sepse pakuptimësisht nuk u institucionalizuan. Me idenë e gabuar, për manipulime, pikërisht këta mitologji të dështuara, po mbajnë të izuluar sferën publiko-mediatike në vend, në të cilën flasin për veten, apo për kohën që nuk u përket atyre.

Nga miti si koncept i individualitetit politik, deri tek institucionalizimi si koncept i vendosjes së normave dhe i pjesëmarrjes shoqërore në realizimin e tyre, duhet të tejkalojë politikbërja aktuale. Po qe se arrijmë që të veprojmë institucionalisht brenda partisë, sigurisht do të arinim të institucionalizonim edhe vizionin dhe përpjekjen e gjithë shoqërisë shqiptare, konkretisht.

Mbi këtë prizëm, pa dyshim që do të krijohej një kauzë gjithshqiptare, e mbështetur në konceptin real të partisë politike, që nuk do të bënte gjë tjetër, vetëm se do të institucionalizonte në nivele shtetërore kërkesën shqiptare, në një qeverisje të ardhëshme. Pikërisht ky institucionalizim I munguar kërkesash, i cili pa dyshim që do të bënte të bashkuar gjithë taborin politik shqiptar, dhe të mobilizuar edhe shqiptarin e vetëm nëkëtë shtet. Të gjitha konceptet tjera, si ajo e bashkimeve moniste, apo e karizmës mitologjike (të një personi) vetëm se do të plogështonte përpjekjen politike.

Nga mitologjia, e kerkesës së dëshiruar, deri tek institucionalizimi i kërkesës reale dhe të arritshme do të duhej të avanconim përpjekjen gjithshqiptare dekadash për barabarësi të shqiptarëve në këtë vend. Dhe pikërisht atëherë, vendin e mitologjisë mbi shfrytëzimin e figurave kombëtare, do të zinte institucionalizimi dhe mobilizimi i gjithë shqiptarëve per disa kërkesa konkrete të shkruara dhe reale, që do të ishin mbi të gjitha marrëveshjet politike të arritura deri më sot.