Adonis Tahiri, zëdhënës i Vetëvendosjes, ka thënë se një konflikt i mundshëm mes përkrahësve të pozitës që do të festonin zgjedhjen potenciale të Hashim Thaçit në krye të shtetit, i intereson pushtetit e jo opozitës.

Ai ka thënë se opozita nuk mban përgjegjësi në rast të një konflikti të mundshëm.

 

“Ne jemi në shesh prej dy ditësh tashmë, dhe kemi ngritur aty kampet me tenda. Po ashtu, kemi thirrur protestë gjithëpopullore për ditën e premte, në orën 10:00. Qytetarët masivisht i janë përgjigjur thirrjeve tona për protestë, kundër qeverisë antikushtetuese, kundër Thaçit president, kundër Zajednicës dhe Demarkacionit”, ka thënë Tahiri për Kohën Ditore.

Ai ka thënë se në vendet demokratike protestat i organizon opozita, dhe se Qeveria flet përmes punëve të saj.

“Kjo qeveri e ky pushtet nuk ka punë e vepra me të cilat të flasë, prandaj organizon kundërprotesta. Pushtetit i intereson konflikti, e jo opozitës. Opozita po kërkon zgjedhje të reja, jo konflikt. Si rrjedhojë, ne nuk kemi as përgjigje, e as përgjegjësi për këtë çështje. Po të ishin aq të fuqishëm sa pretendojnë, PDK e LDK do t’i kishin shpallur zgjedhjet me kohë. Por e dinë që nuk kanë më mbështetje, prandaj organizojnë provokime të tilla”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se qëllimi i tyre është vetëm që të tremben protestuesit dhe mbështetësit e kauzave opozitare.

“Por, ne nuk do të tërhiqemi, dhe nuk do ta lejojmë Thaçin të bëhet president pa shkuar në zgjedhje të reja”, ka thënë Tahiri.