Të nderuar gazetarë, të nderuar shqiptarë dhe të nderuar qytetarë të vendit,
Sot ishim dëshmitarë të mbledhjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili me shumicë votash nuk i pranoi ankesat e koalicionit “Rilindje me BESË”, duke i mundësuar kështu VMRO-DPMNE-së që ta mbajë me pa të drejtë një mandat deputeti që na takonte neve në njësinë nr. 2. Përkundër asaj se votuesi ua dha mesazhin këtyre partive në zgjedhje, ato përsëri vazhdojnë t’i bashkojnë duart e tyre kundër interesave të shqiptarëve dhe të qytetarëve në vend.
Duke shkelur edhe një herë mbi të drejtën, KSHZ-ja dëshmoi edhe një herë se Maqedonia është shtet ku drejtësia është më e rrallë se uji në shkretëtirë. Sot edhe një herë u dëshmua se KSHZ-ja merr vendime sipas diktateve politike, ndërsa ishte e dhimbshme të shohësh se si përfaqësuesit shqiptarë në të, ata të BDI-së, të PDSH-së dhe ai që, gjoja, është i pavarur, e mbronin interesin e VMRO-DPMNE-së së Nikolla Grueskit më shumë se vetë përfaqësuesit e Gruevskit në këtë komision.
Të gjendur në këtë situatë, kur më ne nuk i besojmë as KSHZ-së, as drejtësisë tjetër në vend, shpresa e fundit është se së shpejti në vend të përfaqësuesit të PDSH-së ose, më saktë, të VMRO-DPMNE-së, Bedredin Ibrahimi, do të jetë përfaqësuesi i Lëvizjes BESA dhe kjo do të jetë një mundësi që ky institucion kaq i rëndësishëm për demokracinë në Maqedoni të mund të vendoset në binarë të vërtetë.
Të nderuar aktivistë të BDI-së dhe të PDSH-së, na vjen shumë keq për juve, por sot përfaqësuesit tuaj në KSHZ nuk i morën deputet Lëvizjes BESA – ata ua morën një deputet shqiptarëve të Maqedonisë dhe ia dhanë Gruevskit. Kjo është ajo që u thoshim ne para zgjedhjeve – vota për BDI-në është votë për VMRO-në dhe Gruevskin. U qoftë për nder atyre që e bënë këtë turp!