Zyra e BE-së në Shkup reagon ashpër ndaj retorikës së ish kryeministrit Gruevski e shprehur një natë më parë. Në rrjetin social twitter, ambasadori i BE-së mori në mbrojtje ndërmjetësin Vonhojte dhe prokuroren speciale Katica Janeva, të cilët u quajtën nga Gruevski si bashkëpunëtor të skenarit të Zaevit, për të ardhur në pushtet me gënjeshtra dhe në mënyrë kriminale. Për Ambasadorin Orav, Prokuroria speciale dhe grupi i punës i përbërë nga 4 partitë, priten të mbështetën nga të gjithë firmëtarët e marrëveshjes së Përzhinës, që në fjalë të tjera, interpretohet se cilado prej partive, duhet të respektojë atë çfarë ka dalë nga marrëveshja, përfshi edhe Katica Janevën si dhe formatin e bisedimeve në grupe pune, i lehtësuar nga ndërmjetësi Piter Vonhojte.

Retorikën e ashpër të një nate më parë, nga ish kryeministrit Gruevski e kundërshtojnë edhe analistët. Sipas Mersel Bilallit, një gjuhë e tillë përbën rrezik të përgjithshëm shoqëror.

“Mendoj se Gruevski është një kopje e zbehtë e Millosheviqit dhe këto janë dridhje të fundit dhe në panik. Megjithatë unë shpreh brengosje në tre faktor të cilët vazhdojnë akoma ta mbajnë të gjallë regjimin e Gruevskit. Faktori i parë është BDI e cila gjithherë kur Gruevski ndjen komë politike, sikur i jepet infuzion shpëtimtar dhe ajo duhet të definohet. E dyta është një nacionalizëm që në kontinuitet e mbjell Gruevski dhe që është i rrejshëm siç edhe është patriotizmi i tij i rrejshëm dhe vazhdon të jetojë logjika se gjithçka e dinë çka bën Gruevski, mirëpo atë strukturë që ne nuk e preferojmë në aspekt nacional e ka futur në birë të miut. Dhe e treta është faktori ndërkombëtar i cili ka një respekt tej mase sa i përket rrezikshmërisë ose potencialit destabilizuas të Gruevskit i cili mendoj se është i pabazë”, tha Mersel Bilalli, analist.

Një natë më parë, në forumin e grave të VMRO DPMNE-së, ish kryeministri Gruevski fajësoi për krizën, kreun e opozitës Zaev, i cili në bashkëpunim me ata që ai i quajti “kriminel” nën ndikim të shërbimeve të huaja sekrete, kërkon të vijë në pushtet. Por, sipas Gruevskit, zgjedhjet do të jenë ato që do të tregojnë verdiktin e popullit./alsat-m