Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur se është për ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE, pohon gazeta “Bild”.

Sipas gazetës gjermane, Merkel dje para bashkëpartiakëve të saj në Bundestag ka theksuar se masat e autoriteteve turke pas përpjekjes së pasuksesshme për grusht shtet në vend, nuk lejojnë të fillojë me hapjen e temave të reja në negociatat me Turqinë, transmeton MIA.

Javën e kaluar Parlamenti evropian miratoi një rezolutë të paobligueshme me të cilën kërkohet ngrirja e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE, për shkak të masave të autoriteteve turke, të cilat pasuan pas përpjekjes për grusht shtet në korrik të këtij viti.

Në një reagim për rezolutën, kryeministri turk, Binali Jilldirim deklaroi se ajo nuk ka kurrfarë rëndësie ligjore për Ankaranë, ndërsa presidenti, Rexhep Taip Erdogan theksoi se Turqia mund të kërkojë alternativa të tjera për BE-në dhe u kanos me hapjen e mundshme të kufijve për emigrantët të cilët ndodhen në territorin turk dhe të cilët dëshirojnë të largohen drejt vendeve evropiane.