v“Prokuroria Speciale Publike po punon në mënyrë selektive”. Kjo ishte përgjigja e ish-deputetes së VMRO-DPMNE-së Silviana Boneva, kur u pyet nga Alsat-M në lidhje me hapjen e hetimit nga PSP për fletëpagesat e rrejshme të harxhimeve rrugore, ku dyshohet që Boneva e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 100 000 euro. Sipas saj, ky organ nuk fare ka të drejtë që të hap hetime.

Prokuroria Speciale Publike më është kundërvu mua politikisht me akuza të rrejshme dhe të pabaza. Që tani e tutje nuk do t’i komentoj më hetimet e këtij organi, organ ky i cili sipas ligjit nuk ka të drejtë të hap hetime- tha Silviana Boneva.

Të pyetur për këtë qëndrim të Silviana Bonevës, Prokuroria Speciale sot hezitoi të përgjigjet. Mirëpo gjatë konferencës së djeshme për shtyp, prokurori Lubomir Llape tha se hetimet hapen në bazë të provave e jo në bazë të përkatësisë politike.

Ne bëjmë hetime të bazuara në prova të mbledhura. Vetëm në bazë të provave bëjmë edhe përndjekje. Personat e dyshuar nuk janë në procedurë shkaku i përkatësisë së tyre politike por për shkak se provat tregojnë se kanë bërë vepra penale për të cilat do të vijojë procedurë më tej- deklaroi Lubomir Llape.

Sa i përket hapjes së hetimit “Liderët” ku bëhet fjalë për ndërtimin e objektit pa leje përball Ambasadës së Amerikës, analisti Albert Musliu thotë se nuk ka kuptim që hetimi të ndalet vetëm tek investitori, por se i njëjti duhet të zgjerohet duke përfshirë edhe institucionet që e kanë lejuar një gjë të tillë.

Nisja e hetimeve te Prokuroria fillon prej përgjimeve. Nuk do të thotë se kanë ngritur aktakuzë për investitorin dhe ajo do të përmbyllet tek investitori. Kështu qëndron edhe në procedurë. Ajo aktakuzë mund të zgjerohet edhe te të gjithë pjesëmarrësit të cilët kanë marrë pjesë në proces. Unë besoj se do të zgjerohen dhe duhet të zgjerohen sepse në atë rast ka të implikuar edhe institucione tjera- tha analisti Albert Musliu.

Ndërkaq nga Komuna e Çairit bëjnë me dije se dokumentacioni për çështjen e ndërtimeve dhe rrënimin e objekteve pa leje i është dorëzuar PSP-së dhe se është ndaluar vendimi për legalizimin e këtij objekti.

Komuna Çair ka vënë në dispozicion të Prokurorisë Speciale të gjithë dokumentacionin e kërkuar, prandaj në interes të zbardhjes së plotë rastit dhe për të ndihmuar procedurën hetimore, vlerësojmë se fjalën e fundit duhet ta japin organet e drejtësisë. Si institucion kemi bërë anulimin e Vendimit për legalizim dhe të gjitha kompetencat kanë kaluar në Ministrinë për Transport dhe Lidhje që kanë marrë përsipër rrënimin e objektit në fjalë- thonë nga Komuna e Çairit

PSP dje publikoi hapjen e 7 hetimeve të reja ku ndiqen17 persona për abuzim me detyrën zyrtare. Drejtorë, ish ministra dhe gazetarë janë nën dyshimin e se kanë kryer vepra penale dhe të njëjtit janë pjesë e shtatë rasteve të koduara me emrat “Shërbimet e huaja”, “Pagesa Rrugore”, “Rentgeni”, “Producenti”, “Liderët”, “Tarifa 2” dhe “Transportuesi 2”.

Që nga themelimi i saj, thuajse të gjithë personat që ndiqen nga Prokuroria Speciale Publike janë, ish-funksionarë apo bashkëpunëtorë të VMRO-DPMNE-së. Ekipi i Katica Janevës si bazë për hetimet e hapura kanë përgjimet e publikuara aso kohe nga opozita të cilën e kryesonte kryeministri aktual, Zoran Zaev.