“….Konferenca e Paqes e Parisit, 1919, vol. XII-PPC 184-018/3- “Sekretari i Shtetit për Z. A.J.Balfour,(ministër britanik i PJ):

“Ambasada Britanike në Washington ka informuar Departamentin e Shtetit si vijon: ‘Në lidhje me akuzat për masakrat kundër shqiptarëve në Mal të Zi: Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e trupave serbe dhe agjentëve serbë, qëllimi i të cilëve duket se ka qenë shfarosja fizike e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht, i juaji Robert Lansing’”

Ridgefield, CT. Me 29 nëntor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, gjenerali kroat Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnjë-Hercegovinë, posa mori vendimin e Gjykatës së Apelit: dënim me 20 vjet burg për krime të ushtruara nga forcat nën komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetur të vdekur mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishmëve piu një gotë helmi, përbuzi trupin gjykues dhe vdiq duke reklamuar pafajësinë. Ky akt “teatral”, me gjithë tragjiken e aktit të vdekjes – akoma më i theksuar i vetëvrasjes – përmban edhe një element komik që nuk u shpëton vërejtësve të botës mbarë. Akti u pa si një “publicitet” për ndjekësit e tij. Akoma më e rëndë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate që ngritën këtë akt në piedestalin e nderit të popullit kroat. Një qëndrim i këtillë më tronditi. Krimineli, sidomos ai që dënohet nga një gjykatë serioze, siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me një gjest dramatik e publik që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme. Vrasja, vetëvrasja, e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjësimi i pariparueshëm i një jete njerëzore duhet dënuar pa hezitim. Sot, në botën e qytetëruar është eliminuar me ligj “dënimi me vdekje” si “një ndëshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim, ashtu duhet të jetë.

Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Evropa, me shpresën e hapjes së një shekulli tëri, më të mirë, më paqësor dhe më njerëzor. Fatkeqësisht u vërtetua e kundërta. Për njëqind vjet me radhë ne dëshmuam zhvillime politike që kthyen këtë shekull në shekullin më barbar dhe më të përgjakshëm në historinë botërore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy luftëra botërore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturave – komunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)- që pothuajse fundosën qytetërimin tonë mijëvjeçar, kushtuan jetën e milionëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmijë të masakruar, të gazuar, të djegur për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajat e gulagëve sovjetikë, ose të dërrmuar në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të madh socialist”. Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u bënë me një shpejtësi marramendëse që na dhuruan një përparim material të paparë; por fatkeqësisht në kontrast “brutal”, sepse përjashtuan pjesën më të madhe të popullsisë botërore: të pazhvilluarit, të paushqyerit. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi një aktualitet tragjik që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerëzore: asgjësimin tonë fizik. Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthyer. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike zhvillohen me shpejtësi, me qellim që të kapen zhvillimet shkencore moderne që vënë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet nuk mund të themelojmë një shoqëri të urtë dhe të përjetësojmë një qytetërim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses! Kështu, dashje ose pa dashje, gjendemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe II Botërore provojnë se jemi në gjendje të krijojmë dhe të jetojmë në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetëruar”. Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardhur fundi i botës, shpeshherë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë finale; ose pa gjetur fuqi të brendshme e të mjaftueshme për të tentuar evitimin e katastrofës. Në letërsi kjo pozitë e vështirë e dëshpëruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllëkut të plotë”! Le të kujtojmë fashizmin, nazizmin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse ndiejmë lehtësim për ta shikuar të kaluarën e për të zbuluar “gabimet” e historisë, për të ridimensionuar emocionet tona që kemi përjetuar më parë – duke i krahasuar ato me të sotmet. Një histori që nuk qetëson, por trazon e kërkon, është histori e mirë. Është kjo histori “e mirë” që na pajis me vullnet dhe na e forcon bindjen për ta dënuar përsëritjen e terrorit të jetuar. Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish-Jugosllavisë kundër njëri-tjetrit, dhe sidomos agresionin kriminal serb në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, si dhe agresionin kriminal serbo-kroat në Bosnjë-Hercegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyre dhe vrapimit pas ëndrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harruara në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje unë i dënoj.

* * *

1). Slobodan Milosheviq, i njohur publikisht si “kasapi i Ballkanit” konsiderohet si përgjegjësi i parë kryesor i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e një “Serbie të madhe”, dominuese e ish-Federatës Jugosllave. I zhgënjyer nga paaftësia e tij, si president i Serbisë më parë dhe i Jugosllavisë më vonë, për të gjetur një zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këtë shtet multinacional që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër Kushtetutës së vitit 1974, që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë, dhe për paaftësinë e tij politike për të “paqësuar” trazimet e popullsisë shqiptare, sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë më vonë, të fituar në qershor 1999, dhe formalisht më 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të Pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Më në fund, Milosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare që kushtoi më shumë se 100.000 viktima, nga të cilat më shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banuara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Më shumë se dy milionë refugjatë, gjysma e tyre shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunuara nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetëror, përveç miliarda dollarë dëmesh ekonomike, vetëm në Kosovë… Qëllimi i tij? Komandanti i forcave aleate të NATO-s në vitin 1999, gjenerali Wesley Clark, shkruan në kujtimet e tij për takimin me presidentin Milosheviq para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë: ” Gjatë takimit me presidentin Milosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjigj me një pyetje:

-Ç’keni ju amerikanët? Pse përziheni në problemin e Kosovës? Lëreni në duart tona…Ne dimë si ta zgjidhim…E kemi bërë edhe më parë…

– Si e keni zgjidhur, z. president? pyeta unë.

– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!”- ishte përgjigjja.

-z. President, ndërhyra unë. “Është pikërisht kjo zgjidhje që ne nuk do ta lejojmë…!”

Historia përsëritet, shkruajnë shumë historianë. Megjithatë, edhe nëse nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritur. Një ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluarën. Në botimin e saj të datës 31 dhjetor 1912, gazeta amerikane “The New York Times”, me titullin “A Trail of Blood” (Një rrëke gjaku) shkruan: ” … Oficerët serbë, të dehur nga fitoret e tyre (mbi turqit) deklarojnë se paqësimi më efektiv i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë është adoptuar nga Ushtria Serbe dhe u zbatua në praktikë”. Tragjedia e luftës civile në ish-Jugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e kundër Kosovës së pambrojtur është krimi më i madh i Evropës së pasluftës, përgjegjësia e të cilit bie katërcipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Slobodan Milosheviq. Si akt poshtërues i kësaj figure antinjerëzore është dokumentimi sekret i gjendjes së tij psikike. Në vitin 1990, ish-presidenti i Jugosllavisë, Borislav Joviq, kërkoi një raport nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Milosheviqit. Përgjigjja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet…Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetësore të Milosheviqit si mjaft të rëndë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktuar…”.(Illyriapress.com, 11 nëntor 2017).

(Vetëhelmimi i Milosheviqit në qelinë e burgut vulos këtë përfundim profesional. Babai i tij, prift i Kishës Ortodokse Serbe, bëri vetëvrasje në vitin 1962. Nëna e Milosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974).

2). Dr. Radovan Karaxhiq, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare me 40 vjet burgim, vitin e kaluar, e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në qelitë e izoluara të burgut të Hagës. Ai u fsheh për shumë vjet në qendër të Beogradit të Ri, si një psikiatër i panjohur, me emrin dr. Dragan Dabiq, por i mbrojtur nga shërbimet sekrete serbe.

Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të paarmatosur dhe të papërgatitur për luftë, dr. Karaxhiqi hyri në veprim si president i Republika Sërpska dhe komandant i forcave të armatosura serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Një ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuar në një celebrim të një familjeje myslimane, komshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevë, që zgjati tre vjet e gjysmë; njëri nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqinjit mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e më shumë se 12.000 qytetarëve të pafajshëm të qytetit. Më 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë e gjeti dr. Karaxhiqin, përgjegjës për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe ia shqiptoi dënimin. Dr. Karaxhiqi është shembull tipik i një transformimi personal nga një njeri i thjeshtë familjar, në një monster të fuqishëm, kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duart e tij. Mania e tij e transformoi në monster të pangopur me gjakun e viktimave dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e joserbëve – në këtë rast boshnjakëve myslimanë – për hir të zgjerimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktuar dr. Karaxhiqin si “arkitekt i gjenocidit të Bosnjës” për vrasjen e më shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.

3). Gjeneral Ratko Mladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës më 22 nëntor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tre vjet e gjysmë me radhë ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës për të dëbuar myslimanët e kroatët nga vatrat e tyre stërgjyshore, me qëllim të krijimit të një shteti homogjen serb në Bosnjën e pushtuar – “vetëm serbë”….

Shtypi ndërkombëtar thekson se viti më i përgjakshëm i kësaj fushate ka qenë viti 1992, gjatë së cilit 45.000 joserbë, pleq, gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyre ose në kampet e përqendrimit ndërtuar me plan për këtë qëllim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës nga serbët, të vrarë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulmore ka qenë ekzekutimi i më shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë – burra e djem të rinj deri 14-vjeçarë – në qytetin Srebrenica, me urdhër direkt dhe mbikëqyrje të gjeneralit Mladiq. Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindërit dhe fëmijët ndaheshin nga njëri-tjetri. Gjenerali Mladiq fërkonte kokën e fëmijëve të terrorizuar, ndërsa urdhëronte ekzekutimin e prindërve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar që ka ngritur shqetësimin më parë të botës së qytetëruar, dhe më vonë revoltimin e tyre. Para gjykatës gjenerali kriminel serb, Mladiq, pa lëvizje të qerpikut, dëgjoi sentencën: burg të përjetshëm! Më në fund ai shpërtheu:” Çdo gjë që ju thoni është një gënjeshtër”, bërtiti ai kundër gjykatësit që urdhëroi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.

Gjatë shqiptimit të dënimit kryegjykatësi Alphons Orie tha: “Krimet e gjeneralit Mladiq rreshtohen në mes të krimeve më të mëdha që njeh historia e njerëzimit”. Një gjykim i këtillë nga Gjykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma herët për të gjykuar. “Gjykimi i gjeneralit Mladiq”, shkruan “The New York Times” më 22 nëntor 2017, “është një piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Evropë”; dhe vazhdon: “Larg nga skenat e qetësuara të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufijve dhe përplasjet me karakter fetar po ngrenë kokën përsëri, jo me krismat e mortajave dhe krik-kraket e mitralozave, por në rihartimin e panoramës politike” (në Evropë). Në Serbi thirrjet për një kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990 po rriten çdo ditë. Zyrtarët e lartë e të diskredituar nga bashkëpunimi i tyre me regjimin barbar të S. Milosheviqit – dhe jo pak kriminelë të dënuar nga gjykatat – po rifitojnë postet e humbura e prominente. Në Serbi sot njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb – ndërtimi i një Serbie të madhe si ajo e mesjetës së carëve serbë – nuk ka përfunduar, dhe pakënaqësitë e mëdha të krijuara nga ‘lufta’ nuk janë pakësuar”. Në fakt, shkruan gazeta, “dënimet e Milosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe të Mladiqit ka mundësi të kenë rritur ndjenjën serbe të pakënaqësisë dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bëra kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbisë” SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhënë, që ne të gjithë e shohim si pjesë të një fushate kundër Serbisë, Ratko Mladiq mbetet për serbët një legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqësi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, territor i spastruar etnikisht nga forcat e gjeneralit Ratko Mladiq.”(22.XI.2017)

Ajo që viktimat boshnjake shohin në trajtimin e tyre nga politika e Fuqive të Mëdha është “se serbët kanë pasur sukses për të avancuar ambiciet e tyre territoriale me anë të agresionit dhe se asgjë nuk është bërë për të mundësuar njëfarë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq) Perceptimi i shumë serbëve për “padrejtësi kundër kombit serb” u shfaq në Bosnjë dhe në luftimet e mëvonshme në Kosovë (1998-99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosura para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clintonin, përgjegjës për bombardimin 78- ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Akoma sot serbët shkruajnë: “Kosova është Serbi”! Natasha Kandiq, lidere serbe e Lëvizjes për të Drejtat e Njeriut, e tronditur nga krimet serbe në ish-Jugosllavi deklaroi: “Ne pushuam së qeni pjesë e Evropës së qytetëruar. Tashti ne kemi mundësi të kuptojmë pse përparimi ynë u ndal dhe pse jemi transformuar në një shoqëri pa solidaritet e pa mëshirë”. Nobelistja gjermane, Herte Mueller, duke folur në Teatrin Popullor Jugosllav, në Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranuan të ballafaqoheshin me krimet. “Askush nuk flet për krimet” dhe “Serbia gjithmonë ia ka shkaktuar të këqijat vetes”,… “qytetarët e saj duhet të jetojnë me këtë të vërtetë se ata vetë i kanë shkaktuar vuajtjet që i përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s së vitit 1999”. Përfaqësuesi i OKB-së e quajti vendimin e Gjykatës “një fitore të jashtëzakonshme për drejtësinë. Mladiqi është personifikimi i së keqes!”. Nga 18 ditarët e fshehur nga gjenerali Mladiq lexohet: “1992 – Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnjë). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) për të zhdukur afro 5.000 kufoma boshnjake në Tomaçicë”… duke i djegur ose duke i copëtuar me makina… ose me një mënyrë tjetër…”. Përgjigjja nga Mladiqi: “Ju i keni vrarë, ju i varrosni!”

* * *

Në Editorialin e datës 25 nëntor 2017, në “The New York Times” lexojmë:” Gjykata e Krimeve të Luftës, themeluar në vitin 1993, ka dënuar më shumë se 160 kriminelë. Duke dhënë dënimin për Mladiqin, ajo përfundoi mbasi dëgjoi dëshmitë e 5.000 personave që treguan hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë. “Por ky numër është i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuan, fshatrave që u spastruan etnikisht, poshtërimin dhe agoninë e atyre që shohin se koha nuk ecën për ata, ndërsa lufta vazhdon. Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat të cilët kryen këto akte kriminale – ata që ngrenë çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmijë, ata që hapen varrezat në Srebrenicë, ata që morën pjesë në dhunime të femrave në Foçë dhe qytete të tjera të Bosnjës – janë të lirë. Për mua, këta njerëz janë keqbërësit e vërtetë. Unë intervistova nëna e bija që ishin dhunuar së bashku, dhe akoma i shohin dhunuesit e tyre të lirë në qytet mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni) Krimet e kryera nga luftërat vëllavrasëse që shkatërruan ish-Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli më elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjësia e plotë mbretërojnë. Për të gjithë ne, që të shqetësuar kërkojmë këshilla, historia e shpërbërjes së ish- Jugosllavisë në fundshekullin 20 është mësuesi më i mirë. Sot na duhet shumë kujdes dhe frymë për iniciativë.

(Autori është aktivist për të drejtat e njeriut)