Dy kasolle, pesë kafshë si dhe një sasi e madhe e rezervave ushqimore janë djegur si pasojë e zjarrit që përfshiu kasollen e familjes Esati në Bozovcë të malësisë së Sharrit, në orët e para të mëngjesit. Zjarri ka dëmtuar edhe disa shtëpi për rreth por pa pasoja në njerëz. Zjarri nuk është shuar ende për shkak të erës së fuqishme që fryn pa ndërprerë. 

 

Zjarri ka shpërthyer nga ora dy e gjysmë. Veç kur erdhën banorët më treguan se është ndezur, por kur dolëm ajo veçmë kishte kryer. Janë djegur katër lopë dhe një kalë, viçi lopët kali janë djegur krejt. Kemi pasur 700 kilogram drithëra dhe 500 kilogram miell për neve, i kemi mbajt këtu si depo – tha kryefamiljari Samet Esati.

Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërkohë që sipas pronarit, është e sigurt që nuk ka ardhur si pasojë e energjisë elektrike, sepse të dy kasollet kanë qenë pa energji elektrike. Në vendngjarje kanë arritur edhe zjarrfikësit por në lokalizimin e zjarrit kanë ndihmuar edhe banorët.

  Përveç këtyre fermave ishte e kapluar nga flakët edhe një shtëpi banimi ku banorët ishin brenda mirëpo angazhimi jonë ishte maksimal dhe kemi punuar mbrëmë në kushte shumë të vështira meqë temperaturat ishin shumë të ulëta diku minus 27-28. Shtëpinë e shpëtuam, banorët e fshatit na kanë ndihmuar shumë dhe jam falënderues që u solidarizuan me ne – deklaroi Uka Aliti, komandant i Njësisë territoriale kundër zjarrit.

Përndryshe, pronari i kasolleve të djegura, apelon organet komunale që t`i vijnë në ndihmë që së paku të kompensohet ajo pjesë e të mirave materiale që ka pasur këtu, siç janë ushqimet dhe pesë krerë kafshë të ngordhura.

Bashkim Sulejmani-AlsatM