Bashkimi Demokratik për Integrim po shqyrton pesë opsionet për koalicionim të mundshëm. Zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani thotë se partia nuk ka një partner strategjik dhe po shqyrtohen të gjitha opsionet.

“BDI ka filluar analizë të opsioneve të mundshme për koalicionim në periudhën e ardhshme. I cekëm të gjitha pesë opsionet të cilat janë në tavolinën e Kryesisë Qëndrore, për të cilat detalisht do të flitet për të gjitha pro dhe kundër argumentet dhe për efektet afatshkurtra dhe afatgjata. Analizat janë pa emocione, pa preferenca, BDI nuk ka një partner strategjik, BDI nuk ka partner të preferuar. Seriozisht po i shqyrtojmë të gjitha argumentet” , deklaroi Osmani.

Udhëheqësia e BDI-së në Reçicë të Vogël analiyojnë se me çfarë pozicione do të shfaqet para negociatave të liderit të partisë Ali Ahmeti dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski për koalicionim të ardhshëm qeveritar.

Sipas disa informacioneve, partia po i analizon të gjitha opsionet, për atë se a do të koalicionojnë me VMRO-DPMNE-në ose me LSDM-në, por edhe mundësinë që të ofrohet qeveri teknike ose të qëndrojnë në opozitë. Do të analizohen dhe pasojat që do të mund ti përballonte partia varësisht nga vendimi që do të sjellin.