Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të përgatiten për zgjerimin dhe ai nuk duhet të jetë më vonë se viti 2030, ky është përfundimi i presidentëve të vendeve të rajonit, në kuadër të procesit Brdo-Brioni, takimi i të cilëve u mbajt sot në Shkup. Duke folur nga njëra anë për përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e reformave, dhe nga ana tjetër për çështjet e pazgjidhura bilaterale në vendet e rajonit, presidenti Stevo Pendarovski theksoi se asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të anëtarësohet në Union nëse insiston në zgjidhjen e plotë të mosmarrëveshjeve të cilat bazohen në histori dhe emocione.

“Në lidhje me vendin tonë, aspiratat tona, është e qartë se ka një çekuilibër mjaft të madh midis kritereve tradicionale për hyrjen në BE dhe marrëdhënieve dypalëshe të të paktën dy fqinjëve tanë. Veçanërisht në tre vitet e fundit kemi një çekuilibër serioz në këtë kuptim, sepse problemi dypalësh me Bullgarinë mbulon praktikisht, për fat të keq, të gjithë agjendën tradicionale evropiane për anëtarësim”, deklaroi Stevo Pendarovski – president.

Bashkë nikoqirët e procesit janë krerët e shteteve të Kroacisë dhe Sllovenisë. Zoran Milanoviq dhe Natasha Pirq Musar. Ata njoftuan se do të angazhohen për të mos vonuar procesin e zgjerimit. Presidenti kroat Milanoviq urdhëroi zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e problemeve paralelisht, ndërsa kolegu i tij slloven theksoi se rruga nuk është e lehtë.

“Ka çështje të hapura sidomos mes Serbisë dhe Kosovës që nuk e njohin njëra-tjetrën dhe këto janë procese që zhvillohen paralelisht dhe në të njëjtën kohë”, tha Zoran Milanoviq – President i Kroacisë.

“Unë nuk jam ithtarë që për çështje bilaterale të vonohet procesi i anëtarësimit”, theksoi Natasha Pirq Musar – Presidente e Sllovenisë.

Tre presidentët theksuan se nuk u pëlqen ideja e të ashtuquajturit “Evropa në dy shpejtësi” dhe mundësia e ndarjes së Bashkimit në shtete anëtare më të privilegjuara dhe më pak të privilegjuara. Pendarovski shtoi se një plan i tillë, nëse është formal, nuk do të gjente mbështetje në Bruksel. Në Shkup morën pjesë edhe presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në deklaratën e përbashkët ata i bëjnë thirrje BE-së për mundësi më të mëdha për qytetarët e Ballkanit Perëndimor edhe para anëtarësimit formal të vendeve në Union. /Alsat.mk