Ndodhemi me kamerën e Top Channel në lagjen Kordelio,  në perëndim të Selanikut, shumë pranë një pike karburanti ku para disa ditësh, gjatë punimeve për zgjerimin e depozitës së saj është gjetur një bombë gati 250kg, e pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore.

Rreth 72.000 banorë të tre bashkive,midis tyre edhe shumë emigrantë shqiptarë, që jetojnë brenda në një rreze prej 2km nga vendndodhja e bombës, janë urdhëruar të largohen deri në orën dhjetë të mëngjesit ,kur edhe do të fillojë procesi I çaktivizimit nga forcat xheniere dhe më pas transportimi në një repart ushtarak, 50 km larg Selanikut, ku do të bëhet edhe asgjësimi I saj.

“Ne banojmë në Kordelio dhe na njoftuan që duhet të largohemi për shkak të asaj bombës që u gjet atje. Në Evosmos dhe Kordelio banojnë shumë shqiptarë dhe një pjesë e madhe e jona kemi blerë shtëpitë tona atje, kështu që po ikim por me njëfarë shqetësimi për atë çka po lemë pas”, u shpreh Keti Toromani, një shqiptare që banon në Kordelio.

Çaktivizimi, që është kryer me sukses brenda dy orëve dhe transporti I saj është marrë përsipër nga reparti 112 I xhenierëve , me një eksperiencë të madhe në shumë raste të ngjashme me bomba me të vogla, gjatë hapjes dhe zgjerimit të aeroportit të Selanikut apo edhe të gazsjellësit TAP.

“Para një jave na erdhën dhe na sollën letra te shtëpia, ku na njoftonin që të iknim nga shtëpia ditën e diel, më datë 12 shkurt, nga ora 10:00 deri më 18:00 dhe sot në mëngjes erdhi policia në çdo shtëpi, për të na thënë të largohemi dhe të presim njoftimin nëpërmjet mediave për kohën kur duhet të kthehemi”, thotë Basir Doksani, një tjetër shqiptar, banor i Evosmos.

Organet greke kanë urdhëruar mbylljen e terminalit të autobusëve të distancave të gjata, në këtë lagje të Selanikut, ndërsa janë anuluar shumë udhëtime me tren gjatë 8 orëve të procesit, pasi aty pranë kalon linja kryesore hekurudhore.

Ende nuk është bërë e qartë nëse bomba në fjalë është hedhur gjatë sulmeve ajrore të dhjetorit të vitit 1943 apo gjatë atyre të shtatorit të 1944-ës, kur aleatët anglezë bombardonin me avionët e tyre, repartet gjermane dhe portin e Selanikut.

Organet e pushtetit lokal kanë hapur, për strehimin e gjithë të shpërngulurve, shkolla, palestra, pallate sporti, stadiume si dhe salla në bashkitë e ndryshme të qytetit, ndërsa në operacionin më të madh të evakuimit që është bërë ndonjëherë në Greqi, kanë marrë pjesë mbi 1000 policë dhe 300 vullnetarë.