“Ishim duke ecur dhe kemi parë një mi të ngordhur dhe jam tmerruar, por Bear nga ana tjetër ishte i lumtur dhe më ka thënë se kjo ishte darka jonë. E kam futur në çantë dhe më vonë e kemi përgatitur për darkë”, transmeton “Zëri.info”.

Manekinia e famshme Cara Delevigne ishte mysafire në një emision televiziv të udhëheqësit të famshëm Jimmy Fallon, ku ka zbuluar se si ka qenë në xhirimet e serisë me “Bear Grills”, duke e pranuar se ishte detyruar të hajë edhe minj, ndërsa gjithashtu ka folur edhe për fëmijërinë e saj. Në të vërtetë manekinia 27-vjeçare e ka pranuar se gjithmonë ka qenë e magjepsur me punën e Bearit dhe se ftesa për të punuar me të në emision ishte realizim i ëndrrave. “E mbaj mend se ka ardhur në shkollën time kur kam qenë e vogël. Ai është personi më i ri në moshë që është ngjitur në malin Everest. Kur më ka ftuar të bëjmë emision, e kam ditur se duhet të pranoj çka do që thotë ai. Ai është idhulli im. Ishim duke ecur dhe kemi parë një mi të ngordhur dhe jam tmerruar, por Bear nga ana tjetër ishte i lumtur dhe më ka thënë se kjo ishte darka jonë. E kam futur në çantë dhe më vonë e kemi përgatitur për darkë. Nuk kundërmonte, por shihej se kishte ngordhur disa ditë më herët. Kjo ishte gjëja më neveritëse që kam ngrënë në jetë”, ka deklaruar duke qeshur manekinia.

Në pjesën e dytë të emisionit ajo ka folur edhe për të kaluarën e saj, ku ka përmendur se nëna e saj ishte një narkomane. “Ajo është një femër e fuqishme, e guximshme dhe e dua shumë mirëpo është fakt se ishte narkomane dhe se unë është dashur të jem prind për të dhe jo e kundërta. Kjo ka lënë gjurmë të mëdha në mua. Gjatë kësaj periudhe po kaloja nëpër fazën time të adoleshencës, kur kam zbuluar se më pëlqejnë edhe femrat, prandaj tërë kohën më brente ndërgjegjja. Nuk mund të përballesha me botën në atë kohë”, ka përfunduar ajo.