CIVIL kërkon kthimin e Shtetit Juridik në Republikën e Maqedonisë. Demokracia, sundimi i të drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë të pandara dhe duhet të jenë të siguruara nga institucionet të cilat duhet të lirohen nga kontrolli i partive politike menjëherë dhe pa asnjë prolongim. Vendimi i Gjykatës Administrative për rivotim në Njësinë Zgjedhore 2011 në Tearcë tregon se institucionet e drejtësisë po marrin guximin dhe premtojnë punë të pavarur dhe sjellje të vendimeve sipas ligjit. Kjo as nga larg nuk është mjaftueshëm, por është fillim i mirë.

Të gjithë duhet t’i respektojnë parimet e shtetit juridik, dhe nga aty edhe rezultati zgjedhor i vendimeve të institucioneve, me kusht që zgjedhjet të jenë të lira dhe institucionet e pavarura. Sidoqoftë, të gjithë pjesëmarrësit relevantë në garën zgjedhore duhet të dorëzojnë ankesa, nëse janë të pakënaqur nga rrjedha e procesit zgjedhor.

CIVIL në opinion ka  publikuar vëzhgime, analiza, raportime dhe rekomandime të qarta, në detaje dhe të drejtpërdrejta. Materiali voluminoz nga vëzhgimi zgjedhor, publikohet në gjuhë Maqedonase, Shqipe dhe Angleze në ueb faqet e organizatës, ndërsa rekomandimet dhe gjetjet janë të dërguara deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Pavarësisht nga ajo nëse KSHZ është përgjigjur në udhëzimet e  vazhdueshme, është me rëndësi të dihet se CIVIL i respekton institucionet dhe tenton të jep kontribut konstruktiv ndaj për përmirësimin e gjendjeve. Për fat të keq, përgjigja e institucionit më relevant ende mungon, por ne ndjejmë obligim të lëmë gjurmë institucionale dhe se kemi qenë deri në fund në përputhje dhe këmbëngulës të marrim pjesë në procesin, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet të cilat mundësojnë kontrollin qytetar të proceseve demokratike.

Procesi zgjedhor në Republikën e Maqedonisë as nga larg nuk ka qenë “bardhë e zi”. Një numër i madh i parregullsive serioze shënohen në mbi 650 raportime të vëzhguesve të CIVIL vetëm në ditën e votimeve më 11 dhjetor, e të mos flasim për numrin e madh të raportimeve nga vëzhgimi i proceseve politike në kontekst zgjedhor dhe më gjerë.

Gjatë vitit të kaluar, CIVIL për çdo ditë e ka informuar publikun dhe institucionet në mënyrë tepër konkrete dhe transparente, për të gjitha rastet e shkeljes së të drejtës votuese, për rrëmujën në Listën e Votuesve, për keqpërdorimet e rënda, presionet dhe manipulimet. CIVIL ka kërkuar nga KSHZ ta shqyrtojë mundësinë për rivotim në 30 vendvotime, rinumërim të të gjitha fletëvotimeve dhe revidim të të gjitha fletëvotimeve të pavlefshme. Më tej, CIVIL ka kërkuar inspektim në procesin e kontrollimit të materialit zgjedhor dhe hetim të mëtejmë për segmente të caktuara të procesit zgjedhor. Janë të nevojshme hetime të mëtejme që të kemi pasqyrë të qartë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur, dhe kush është përgjegjës për problemet të cilat e shoqëronin tërë procesin politik, në të cilin strukturat politike të partive në pushtet dhe të opozitës, janë obliguar të zbatojnë reforma serioze.

Për fat të keq, Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk i shfrytëzoi kompetencat dhe autoritetin e dhënë sipas ligjit dhe të cilat janë më të gjërat nga ekzistimi i këtij institucioni në vendin tonë. KSHZ nuk e mbrojti integritetin e këtij institucioni, nuk e mbrojti procesin zgjedhor dhe të drejtën për votë në rastet kontestuese për të cilat i kemi informuar në mënyrë të qartë dhe konkrete.

Kërkojmë nga institucionet të zbatojnë hetime të mëtejme për parregullsitë zgjedhore, për të cilat e kemi informuar publikun  dhe kemi dërguar letra me indikacione deri te KSHZ.

Vullneti i votuesve duhet të vjen në shprehje të plotë! Për këtë arsye, pavarësisht nga afatet, kërkojmë të merren parasysh rekomandimet e CIVIL, e kjo nënkupton rinumërimin dhe revidimin e materialit zgjedhor. Dikush duhet të bartë përgjegjësinë!

Parregullsitë të cilat i kanë shënuar vëzhguesit e CIVIL janë pasojë nga keqpërdorimi shumëvjeçar i sistemit dhe institucioneve, dhunës strukturore dhe korrupsionit politik të përhapur në vend. Për këtë arsye, besojmë se ekzistojnë argumente të mjaftueshme për zgjerimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike dhe të praktikave mashtruese edhe gjatë procesit zgjedhor në vitin 2016. PSP edhe deri tani ka arritur deri në rezultate të jashtëzakonshme në këtë domen dhe vlerësojmë se ky propozim është më tepër se i arsyeshëm.

Ftojmë të gjithë aktorët në procesin zgjedhor të sillen me përgjegjësi dhe me dinjitet. Shprehja e urrejtjes, nxitja e urrejtjes etnike dhe fetare dhe thirrja për dhunë, për të cilën ishim dëshmitarë këto ditë, patjetër duhet të gjykohen nga publiku, ndërsa institucionet të zbatojnë sanksione të ashpra dhe të vendosura ndaj politikanëve të papërgjegjshëm.