Pas tensionimit të raporteve diplomatike mes Serbisë dhe Maqedonisë mund të fshihen shumë interesa nga rrafshi gjeopolitik, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Serbia ka tërhequr stafin e saj diplomatik nga Shkupi, duke mos e sqaruar saktë një veprim të tillë.

Ftohja e raporteve diplomatike, sipas njohësve të zhvillimeve politike, vjen në kohën kur Maqedonia po bën hapa drejt përshpejtimit të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ndërkohë që ka intensifikuar takimet me zyrtarët e lartë të Greqisë për të tejkaluar kontestin që ka rreth çështjes së emrit.

Blerim Reka, ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh dhe ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tha për Radion Evropa e Lirë se zhvillmi i fundit diplomatik mes Serbisë dhe Maqedonisë dëshmon për agresivitetin e Beogradit ndaj politikës së re që po zhvillon Qeveria e Shkupit.

Reka tha se Serbia e ka konsideruar deri vonë Maqedoninë si koloni të saj dhe këtë më së miri e dëshmuan dhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, kur në mesin e protestuesve të dhunshëm u gjend dhe një pjesëtar i Ambasadës serbe.

“Kthesa euroatlantike e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë dhe ndërprerja prej një dekade të varësisë serbo-ruse, i tregoi qartë Beogradit se më nuk mund të luajë rolin e metropolës-koloniale në Shkup”.

“Mendoj se arsyeja kryesore është kthesa strategjike që bën Maqedonia në raport me integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo është si të themi, një alarm i kuq, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Moskën të cilat nuk mund të llogarisin më sikurse këto dhjetë vitet e fundit, në një Maqedoni e cila do t`ia bllokojë vetes anëtarësimin në NATO”, tha Reka.

Me veprimet e veta, Maqedonia, sipas tij, këto dhjetë vitet e fundit kishte bllokuar jo vetëm vetveten, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimorë në NATO.