Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka kritikuar krerët shtetëror të Kosovës, pasi sipas tij Beogradi është në pritje tash e një kohë që Prishtina të kryejë obligimet e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Këto deklarime Ivica Daçiq i dha sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndërsa po diskutohej raporti i fundit për Kosovën i sekretarit Antonio Guteres, njofton Klan Kosova.

Përveç rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviq, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë ka folur edhe për qëndrimin e këtij shteti rreth themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

”Serbia ende po pret me padurim që Prishtina të kryejë obligimet për marrëveshjet e saj të arritura”.

”Të gjitha çështjet duhet të zgjidhen me dialog, Serbia ka përmbushur obligimet e veta”.

”Por, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, ne ende flasim për mos-zbatimin e saj nga ana e Prishtinës”.

”Realiteti është se Oliver Ivanoviq është vrarë dhe kjo ka rrezikuar gjendjen në atë zonë. Vrasja e Ivanoviq është plotësisht një akt terrorist që rrezikon gjendjen në Kosovë dhe në rajon”.

”Sjellja e dorasit të vrasjes së Ivanoviq dhe sjellja e motivit të kryerjes së këtij akti janë çështje shumë me rëndësi për Serbinë”.

”Jemi të brengosur për vendimet e Interpolit për të tërhequr flet arrestet ndaj kosovarëve”.

”I ashtuquajturi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, fali dorasit e aktit ndaj familjes Hajra. Të gjithë ambasadorët ndërkombëtarë reaguan ndaj këtij vendimi”.

”Qasja realiste dhe e përvojshme është e pranishme në Prishtinë. Është krijuar një grup pune për të mbështetur dialogun”.

”Ju siguroj që Serbia dëshiron që të kontribuojë për një stabilitet në rajon dhe një marrëveshje historike me Kosovën, për të mos shkaktuar ndarje apo konflikte e mosmarrëveshje të reja”.

”Serbia edhe njëherë kundërshton synimin e Kosovës për të ndërtuar ushtrinë e vet”, është shprehur Daçiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.