Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi i ka kërkuar mikut të tij, trajnerit të kombëtares së Italisë Antonio Conte që të mposhtë Irlandën në ndeshjen e ardhshme.

Kuqezinjtë fituan 1 me 0 ndaj Rumanisë të dielën në mbrëmje duke siguruar pozitën e tretë të Grupit A. Tani ata shpresojnë të kalojnë tutje duke mbetur në mesin e katër ekipeve më të mira nga pozitat e treta. Për të shkuar tutje, kuqezinjve do t’i kryente punë Italia, që nuk duhet të pësojë nga Irlanda. “Duke mundur Rumaninë, kemi përmbushur historinë. Për t’u kualifikuar si e 3­ta më e mirë, një dorë mund të na e japë grupi D dhe kjo është Italia”, ka thënë De Biasi, transmeton “bw”. “Tifoja ime në ndeshjen kundër Irlandës do të dyfishohet, një fitore do të na jepte shpresë. Duke njohur Conten jam i sigurt që Italia do të japë maksimumin”, ka thënë De Biasi.