Trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi gjatë një intervistë për mediat italiane zbuloi se ishte vetëm një hap larg stolit të Italisë, por u pengua nga një person i vetëm, emrin e të cilit nuk e bëri publik. Më pas tekniku 60 vjeçar vlerësoi Hysajn, teksa shtoi se është ende i tronditur nga humbja ndaj Izraelit.

Trajnerit të kombëtares shqiptare Gianni de Biasit i ka mbetur një peng prej disa muajsh, madje që përpara nisjes së kampionatit europian ku Shqipëria debutoi për herë të parë në nivele të larta, dhe ky peng ka lidhje me stolin e përfaqësueses italiane. Tekniku 60 vjeçar në një intervistë të rradhës të dhënë për mediat në gadishullin apenin, zbuloi për herë të parë se ka qënë një person i vetëm ai që e ka pnguar të bëhej trajner i Italisë.

“Isha vërtetë një hap larg stolit të kombëtares italiane. E di shumë mirë se kush iu kundërvu ashpër kandidaturës sime, ishte një person i vetëm”- tha de Biasi për “Tuttomercatoweb”.

Trajneri i kombëtares sonë foli edhe në lidhje me Elseid Hysaj, duke mos anashkaluar as disfatën ndaj Izraelit

 “Hysaj është mjaft i aftë në aspektin taktik. Është vetëm 22 vjeç dhe ka mundësi të përmirësohet shumë. Jam ende i tronditur nga humbja ndaj Izraelit në shtëpi, shpresoj të ringrihemi shpejt. Kundër Italisë do të kemi një motiv më shumë për të dhënë maksimumin, pasi shumica e shqiptarëve simpatizojnë pas Shqipërisë, kombëtaren e kaltër dhe shpresoj të bëjmë më mirë se kundër Izraelit.”-deklaroi tekniku i kuqezinjve.

Kombëtarja shqiptare më datë 24 Mars do të luajë sfidën e rradhës në eliminatoret e botërorit ku përballë do të jetë Italia e Venturës.