Aktori legjendar, Robert De Niro, sërish e ka ofenduar presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, gjatë fjalimit në ndarjen e shpërblimeve të komitetit nacional për recensimin e filmave në New York.

Ikona hollivudiane, i cili është kritik i ashpër i kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë, nuk hezitoi ta quajë sërish shefin e shtetit budalla dhe idiot.

Këtë e bëri në momentin e ndarjes së shpërblimit për aktoren Meryl Streep.

De Niro ka kritikuar hapur politikën aktuale të Trump derisa po fliste për filmin më të ri të Streep, ku temë kryesore është publikimi i teksteve për Pentagonin gjatë kohës së luftës në Vietnam.

Në të kaluarën, fituesi i dyfishtë i Oscarit kishte thënë se në aspektin filmik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dikur kanë qenë “dramë frymëzuese” janë shndërruar në “komedi tragjike të budallenjve”.

(Foto: Getty Images)

74-vjeçari njihet si një kundërshtar dhe kritik i madh i Trumpit, për të cilin më herët kishte thënë se do t’i pëlqente ta godasë në fytyrë.

“Mos u bëni të famshëm vetëm për t’u njohur. Tash kemi një president, i cili ndodhet në atë post, sepse ka qenë pjesë e një shou real televiziv”, ka thënë më herët aktori. /KP/Telegrafi/