Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në kuadër të takimeve të tij me krerët e partive shqiptare sot u takua me liderët e “Aleancës për Shqiptarët, kryetarin e LR-PDSH, Ziadin Sela dhe të RDK-së Vesel Memedi.
“Kemi fuqi t’i kundërvihemi BDI-së, PDSH-së bashkë me VMRO-në. Është mëse e qartë se të ishin përfaqësues të popullit shqiptarë nuk do të gjendeshim në këtë situatë që jemi tani. E njëjta parti politike që për 14 vite ka mandat të përfaqësojë interesat e shqiptarëve nuk ka arritur deri tani të ndryshojë asnjë emër të ndonjë rruge as emër shkolle dhe të mos flasim për diskriminimin që e kemi në buxhet”, deklaroi Ziadin Sela, lideri i LR-PDSH-së.
Kreu i RDK-së, Vesel Mehmedi theksoi se qëndrimi i partisë që udhëheq deri më tash ishte shumë i qartë. “Pa mos zgjidhjen e problemeve kruciale në shtet, nuk do të ketë zgjedhje me 24 prill. Deri më tash disa herë e kemi të potencuar këtë qëndrim të RDK-së dhe të Aleancës për Shqiptarët, dhe të njëjtën e prezantuam edhe sot në këtë takim. Që do të thotë së pari duhet të zgjidhen problemet kruciale në shtet, pasiqë Maqedonia deri më tash ishte dëshmitarë i 4 palë zgjedhjesh të parakohshme parlamentare, dhe deri më tash nuk kishim zgjedhje të problemeve. Ja për herën e pestë duan që ti mbajn zgjedhjet pa zgjidhjen e problemeve”, deklaroi Mehmedi.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni të mundshëm parazgjedhor me partitë opozitare shqiptare. Por kjo sot nuk ishte temë e diskutimit.
“Sot nuk u fol për asnjë koalicion. Të gjithë mundësitë janë të hapura që do të na çojnë drejt interesit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Sot biseduam për njëtrajtshmëri, për barazi, për zbatimin e sinqertë të Kushtetutës që u soll pas Marrëveshjes së Ohrit. Sot folëm për barazi të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë para kushtetutës dhe para ligjit”, tha
Zoran Zaev, lideri i LSDM-së
Kreu i LSDM-zë Zoran Zaev ditë më parë takoi edhe kryetarin e Unitetit Gëzim Ostreni. Ndërsa ky i fundit takoi kryetarin e Lëvizjes Besa Bilall Kasamin.