Anulohet takimi i krerëve të partive më të mëdha politike, i paraparë për nesër në Vjenë të Austrisë. Lajmin për Alsat e konfirmoi zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç, duke theksuar se tani përgjegjësia për zgjidhjen e krizës dhe për progresin në rrugën euro-atlantike bie mbi liderët e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Edhe komisioneri Han dhe tresha e europarlamentarëve ka shprehur keqardhje për dështimin e takimit.

“Ne theksojmë se përgjegjësia për të siguruar progresin demokratik dhe për të bërë përparim në rrugën euro-atlantike mbetet tek palët. Tani është radha e tyre për të ofruar dhe për të përcaktuar rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e han dhe tre eurodeputetëve.

Komisioneri Han dhe treshja e eurodeputetëve paralajmërojnë hapa shtesë për të siguruar përmbushjen e kërkesave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Në mungesë të progresit, ne jemi të detyruar tani të marrin në konsideratë veprime të mëtejshme për të përmbushur kërkesat e caktuara në mënyrë të qartë nga Këshilli Evropian, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Ne vazhdimisht kemi thënë se anulimi i Marrëveshjes së Përzhinës do të ketë pasoja shumë të rënda për vendin. Na vjen shumë keq për hapat regresiv që e zmbrapsin vendin nga aspiratat për anëtarësim në BE”, thuhet më pas në njoftim.

Ndërkohë, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani shprehet se takimi i Vjenës do të kishte kuptim vetëm nëse në të do të merrnin pjesë të gjithë liderët e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Sipas tij me anulimin e takimit u lëshua edhe një shans për zgjidhjen e krizës. Nga BDI, këmbëngulin që zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës është çelësi i zgjidhjes së krizës politike.

“ Ky vendim sot tregon se të gjitha palët nuk e kanë dhënë pëlqimin për të marr pjesë atje, atëherë na mbetet që ne ta zgjedhim krizën këtu. Ne kemi përgjegjësi para elektoratit tonë që të dalim nga interesat partiake dhe të sjellim një vendim të rëndësishëm për qytetarët. Ashtu që ne do t’i jap shans çdo procesi të mundshëm që do të na ndihmon sa më shpejt të dalim nga kriza dhe t’i kthemi jetës normale dhe agjendave tona euro-atlantike. Pas këtij dështimi elitave politike ju mbetet seriozisht të marrin përgjegjësitë që kanë para qytetarëve dhe të sjellin vendim në interes të tyre”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Anulimi i takimit të Vjenës pasoi vetëm një ditë pasi lideri opozitar Zoran Zaev, kushtëzoi pjesëmarrjen e tij në Vjenë me tërheqjen e vendimit të presidentit Ivanov për abolim, dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.