Ka filluar gjykimi për rastin “Titanik2” lidhur me manipulimet zgjedhore në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Por sapo filloi, gjykatësi Ognen Stavrev u desh që ta anulojë për shkak se prokurorja Fatime Fetai e dorëzoi akuzën e plotësuar të lëndës. Në akuzën e re të cilën e kishte pranuar Këshilli i Gjykatës Penale, më nuk figurojnë gjykatësit administrativ pasi këshilli nuk kishte parë prova të mjaftueshme për ti vendosur në listën e të akuzuarve.
I akuzuari kryesor në këtë proces është lideri i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi. Pas tij është ish anëtari i propozuar nga PDSH në KSHZ Bedredin Ibraimi. Të akuzuar janë edhe ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, ish anëtarët e KSHZ-së Sasho Sërcev, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski. Në fillim të seancës së sotme gjykatësi i pyeti Thaçin dhe Ibrahimin se çfarë gjuhe do të shfrytëzojnë gjatë gjykimit. Thaçi tha se do ta përdorë edhe shqipen, ndërsa Ibrahimi vetëm maqedonishten.
Të gjithë përveç Mijallkovit akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Mijallkov do të përgjigjet për pranim të shpërblimit për të ndikuar në vepra të paligjshme.
Pas dy javësh, Menduh Thaçi dhe Sasho Mijallkov do të takohen përsëri në gjykatë pasi më 10 maj është seanca e radhës gjyqësore.
Ky rast doli nga biseda e përgjuar mes ish shefit të DSKsë Sasho Mijallkov dhe kryetarit të PDSH së Menduh Thaçi. Pjesë e listës së provave kundër ish funksionarëve do të jenë dy biseda të përgjuara. Në një prej bisedave dëgjohet Mijallkov duke i kërkuar shërbim kryetarit të PDSH së që të ndikojë tek kryetar i KSHZ së Bedredin Ibraimi që të votojë pro prishjes së një vendvotimi në Strumicë.
Në akuzë shkruhet se vendimi është marrë me katër vota pro dhe tre kundër, por në asnjë moment nuk është treguar qartë se cilat janë shkeljet që i kanë bërë komisionerët e që kanë shtyrë KSHZ-në të miratojë rivotimin. /SHENJA/