Gjendja në Maqedoni është vënë nën kontroll, por tensionet mbetet. BE ka dënuar dhunën në Parlamentin e vendit duke theksuar, se ajo nuk pajtohet me demokracinë. Kërkohet dialogu politik brenda institucioneve.

Deri në 45 vetë u lënduan në Parlamentin e Maqedonisë gjatë trazirave të së enjtes (27.04) në mesin e të cilëve ka pasur deputetë, policë, të punësuar në parlament, gazetarë dhe protestues. Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në Klinikën kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Drejtoresha e Klinikës, Jasminka Çabukovska tha se katër prej tyre janë mbajtur për trajtim të mëtejshëm.

Para mesnate njësitë e forcave speciale të policisë përfunduan evakuimin e deputetëve të fundit, të cilët kanë qenë cak i sulmit nga huligan dhe protestues të dhunshëm që u futën në Parlament. Forcat e sigurisë kanë shpërndarë turmën përmes përdorimit të gazit lotsjellës. Protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” kanë vendosur tenda para Parlamentit të Maqedonisë ku kanë qëndruar tërë natën.