Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjet madhore siç janë emri, kufijtë dhe tekstet shkollore, ende nuk kanë filluar. Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov thotë se këto çështje të lëna anash për disa vite me radhë, janë betonuar dhe se duhet përkushtim deri në zgjidhjen e këtyre kontesteve. Dimitrov kërkon që të shpeshtohen takimet dypalëshe me homologun e tij Nikos Kocias me qëllim që të zvogëlohen paqartësitë. Sipas tij, grupe historianësh nga pala greke dhe maqedonase duhet të takohen që të shkëmbejnë qëndrimet në lidhje me atë se si këto dy shtete e shohin njëra tjetrën. Me nismë të ministrit të jashtëm të Greqisë Niko Kocias, në 4 dhe 5 tetor në Athinë do të takohen shefat e diplomacisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me qëllim të përforcimit të stabilitetit rajonal.

“Nëse dy shtete kanë vendosur që të qetësohen dhe të hapin rrugën e përbashkët drejt Evropës është e udhës që historianët nga njëra palë dhe nga pala tjetër të ulen dhe të bisedojnë për vërejtët e të dyja palëve. Edhe për atë se si Greqia na sheh neve dhe për atë se si ne e shohim Greqinë në aspekt historik”, tha Nikolla Dimitriov, Ministër i Punëve të Jashtme.