Një webfaqe gjermane ka publikuar disa fotografi të punonjësve shëndetësorë, teksa pozojnë lakuriq si shenjë proteste për mungesën e pajisjeve themelore, kundër luftimit të coronavirusit.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, webfaqja “Blanke Bedenken”, i ka bërë publike këto imazhe, ndërsa mjekët pozojnë nudo, por me disa banera në duar.

“Ne jemi mjekët tuaj. Për t’ju trajtuar juve, kemi nevojë për pajisje mbrojtëse”, thonë organizatorët në një deklaratë në faqen e tyre.

Ndërsa pandemia e coronavirusit përhapet në të gjithë botën, punonjësit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë, pothuajse në të gjithë globin kanë paralajmëruar për mungesë të pajisjeve mbrojtëse.

“Shërbyesit mjekësorë kanë nevojë për mbështetje nga politika”, shtoi grupi Blanke Bedenken.