Në çdo raport ndërkombëtar me renome, përfshirë edhe Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (për vitin 2015), Kosova është në krye të listës së shteteve me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë.

Qindra zyrtarë e ish zyrtarë të kësaj qeverie dhe qeverive paraprake, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, vazhdojnë të vjedhin e jetojnë pa u frikësuar nga ndjekja penale.

Organet e drejtësisë vazhdojnë të ndikohen dhe komandohen nga politika qeverisëse, e cila veçse e zhytur në korrupsion, ka krijuar edhe lidhje të forta me krimin e organizuar, brenda e jashtë Kosovës.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, si shkakëtarë të çdo të keqeje tjetër të pasluftës, ka varfëruar xhepat dhe shpirtrat e qytetarëve të Kosovës.

Keqëqeverisja – kriminalizimi i drejtësisë dhe shëndetësisë, degradimi i administratës dhe arsimit, varfëria dhe ekstremizmi fetar – ngadalë po ua vret shpresën kosovarëve për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.

Prej qershorit të vitit të kaluar, rreth 150 mijë të pashpresë, shtetas të Kosovës, kanë ikur në vendet e Evropës Perëndimore. Disa qindra te tjerë, të shpërlarë truri, ikën në Lindje të Mesme.

Ikin nga Kosova, nga një shtet ku korrupsioni sistemik, i njohur ndryshe edhe si korrupsioni endemik, nuk ndëshkohet, por ka rrezik të shndërrohet në korrupsion pandemik. Kështu, Kosova jonë, “e pavarur dhe sovrane”, ka shkelur vijën e kuqe!

Korrupsioni, ashtu sikurse sëmundje e kancerit, rrezikon t’i shpërndahet nëpër të gjithë trupin, pra nga sistemi, nga hallkat shtetërore, të depërtojë në shoqëri, dhe më pas, të mos shihet më si përjashtim, por si rregull! Deri në vetshkatërrim!

Këtu ka arritur Kosova, dhe në këtë gjendje mjerimi, dikush pret shpërblim!? Heqje vizash!? Sepse pafytyrësia e qeveritarëve të korruptuar të Kosovës është aq e madhe sa mendja e shëndoshë e ka problem për ta kuptuar.

Javën e kaluar, kryeministri me ministrat e tij deklaroheshin me njëfar krenarie se Kosova ka plotësuar “dyfishin” e kritereve të nevojshme për nënshkrimin e Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Evropian, krahasuar me vendet e tjera të rajonit!

Dyfishin!
Por çka po ndodhë me kriterin kryesor – sundimi i ligjit!?
Kosova ende nuk ka dënuar asnjë zyrtar të lartë, ministër apo ish ministër, deputet apo ish deputet për milionat e vjedhur. Për ironi, edhe një milion tjetër i “vidhet” Buxhetit çdo vit për të luftuar korrupsionin!

Meqë e dinin përgjigjen, milionerët e politikës kosovare kërkonin nga Bashkimi Evropian që në rast të vendimit negativ, Brukseli të deklarohej hapur, ta thotë troç: Ku është problemi”!? Dhe nuk vonoi shumë, Bashkimit Evropian doli me klauzolat e tij.

Burokratët dyfytyrësh dhanë përafërsisht këtë përgjigje: “S’ka viza! Prishtina ka shënuar progres, por ka edhe shumë për të bërë! Korrupsionin duhet luftuar nga koka, jo nga bishti, duhet nisë me zyrtarë të profilit të lartë”!

Qeveritarët me pafytyrësi, pa e përmendur fare sundimin e ligjit, e quajtën vendim zhgënjyes, marrëzi e dyfytyrësi të Bashkimit Evropian! Mirëpo, kësaj radhe, sado i hidhur e i rëndë, ishte vendim i pritur, real, mbase edhe shpresëdhënës për qytetarët e Kosovës të cilët ende e shohin të ardhmen në vendin e tyre!

Sikur të ndodhte e kundërta, përfituesit e vetëm do të ishin zyrtarët e korruptuar të Kosovës.

Heqja e vizave pa nisur lufta kundër korrupsionit do të nxiste të paktën edhe 150 mijë të pashpresë të tjerë, të cilët do të iknin nga Kosova qysh në tremujorin e parë të Marrëveshjes për Liberalizim.

Është e vërtetë, pafytyrësia e qeveritarëve të korruptuar të Prishtinës dhe dyfytyrësia e burokratëve të Brukselit puqën shpesh, sidomos kur nënshkruhet ndonjë marrëveshje në Bruksel për (de)funksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë.

Në të këtilla raste nuk mungojnë as kushtëzimet as lëvdatat, të cilat burokratët e Bashkimit Evropian ua bëjnë udhëheqësve të Kosovës, duke viktimizuar kështu edhe më tutje qytetarët e një shteti të vogël, i cili para shtatë vjetësh shpalli pavarësinë.

Janë këta burokratë, që duke bashkëpunuar me të korruptuarit, mbajnë në geto popullin e Kosovës, vendit që ka banorë sa një lagje e Parisit a Berlinit!

Këta burokratë mbajnë në geto një popull autokton, i cili para 15 vjetësh u çlirua nga okupimi qindravjeçar, ndaj të cilit sundimtarë e regjime të huaja kryen krime gjenocidale ndër shekuj, në përpjekje për t’i asimiluar e kthyer andej kah Lindja!

Ndoshta ky fakt nuk është domethënës për popullin e madh gjerman, atë francez apo britanik, por duhet të jetë domethënës, të çmohet e mbrohet nga cilido popull evropian, i madh e i vogël, që e do Evropën.

Ne që e duam Evropën nuk është e tepërt për ta kujtuar çdo sekond se Kosova jonë është vendi më i korruptuar në rajon, dhe se për një vit, qeveria ka bërë zero përpjekje për të ndaluar vjedhjen e parasë publike, ka dështuar të anëtarësojë vendin në Unesco, ka arritur vetëm një njohje ndërkombëtare dhe ka ndjekur qasje të gabuar në bisedimet me Serbinë, duke shpërfillur nevojën për unitet politik.

Dhe, pa paragjykuar dy marrëveshjet, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tamam ashtu siç pretendojnë qeveritarët tanë dhe ashtu siç dëshirojnë burokratët në Bruksel, dështimet njëvjeçare të kësaj qeverie janë të mjaftueshme që Kosova e pavarur të çlirohet prej saj.

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdosmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)
beni