Prej vjeshtës së këtij viti, vetëm një pjesë e caktuar e punëtorëve do të punojnë ditën e diel. Për këtë, ata do të fitojnë mëditje shtesë prej 50 për qind si dhe një ditë të lirë. Me fjalë të tjera, të dielën do të punojnë vetëm një e treta e punëtorëve në vend. Pritet që përjashtime të bëjnë 34 veprimtari që janë të lidhura me marrëveshjet kolektive. Përskaj shëndetësisë, shërbimeve komunale, policisë, ushtrisë dhe fabrikave që nuk mund të ndërpresin prodhimtarinë, e diela mbetet ditë pune dhe për transportin publik, barnatoret, mediat, zjarrfikësit, hotelet, sektorin e ushqimit e kështu me radhë. Nuk do të punojnë qendrat tregtare apo kafiteritë përveç barnatoreve dhe restoranteve. Me fjalë të tjera, me propozim-ligj parashikohet që në pjesën e tregtisë, të punojnë vetëm objektet tregtare me hapësirë deri në 200 metra katrorë, lokalet në kuadër të pompave të benzinës, stacioneve të autobusit dhe trenit, aeroporteve, vendkalimeve kufitare.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se e diela ditë pushimi është një hap përpara për arritjen e barazisë sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Të dielën, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik dhe Social, është shqyrtuar drafti i tekstit për zgjidhjen ligjore për “të dielën ditë jo pune”. “Për funksionimin normal të shtetit, është fakt se do të ketë mundësi që punëdhënës – persona juridikë të caktuar të punojnë, por vetëm në veprimtari të caktuara dhe vetëm ata punëdhënës që do të tregojnë se proceset teknologjike-prodhuese nuk guxojnë të ndërpriten (domethënë jo të gjithë punëdhënësit në ato veprimtari të caktuara). Punëdhënësit e tjerë (edhe ata punëdhënës, proceset teknologjike-prodhuese të të cilëve mund të ndërpriten në veprimtaritë e përmendura, por edhe të gjithë punëdhënësit në veprimtaritë që nuk përmenden në përjashtimet) nuk do të guxojnë të punojnë. Në rast se e shkelin ligjin dhe punojnë të dielën, atëherë do të pasojë masë e rreptë përkatëse ndëshkuese”, thekson Bytyqi. Sipas tij, për punëtorët në veprimtaritë që bien tek përjashtimet, punëdhënësit do të duhet t’i paguajnë ata për punën e tyre të dielën në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet kolektive dhe do të duhet të caktojnë një ditë tjetër e cila do të jetë ditë e pushimit javor. Ai shton më tej se projektligji për marrëdhëniet e punës, pjesë e të cilit është zgjidhja”e diela ditë jo pune”, është ende në versionin punues dhe po bëhen konsultime me të gjithë palët e prekura.

Në ndërkohë, kanë reaguar nga Oda e Zejtarëve prej nga kanë kërkuar që të zgjerohet lista e veprimtarive që mund të punojnë të dielën. Kërkohet të përfshihen edhe furrat e bukës, ëmbëltoret, keteringu, sallonet e ondulimit, shitësit e luleve, dhe veprimtari të tjera, të cilat ju nevojitet e diela për kryerjen e veprimtarisë së tyre. Nga Lidhja e Sindikatave thonë se me ligjin e tanishëm për marrëdhënie pune, përgjatë javës – duhet të ketë një ditë pushimi, që nuk është patjetër të jetë dita e diel. Nëse punohet të dielën sipas ligjit, dhe marrëveshjeve kolektive nuk pason mëditje shtesë. Mirëpo, sipas LSM-së, në praktikë ka rastisur që një zgjidhje e tillë ligjore ju ka mundësuar punëdhënësve të trajtojnë ditën e diel si ditë zakonshme pune. Andaj presin që me rregullativën e re për të cilën angazhohen, të vendoset fund për keqpërdorimin e ditëve të diela, apo me fjalë të tjera – e diela të jetë ditë jo pune për të gjithë me përjashtim për veprimtaritë qartë dhe saktë të përcaktuara që do të paguhet në mënyrë shtesë.

Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se ideja për ditën e diel si ditë jo pune rrjedh nga keqpërdorimet e disa punëdhënësve, tek të cilët – punëtorët kanë punuar në mënyrë të pandërprerë dhe pa pagesën e së dielës me mëditje shtesë prej 50 për qind. Nga atje shtojnë se edhe me zgjidhjen e tanishme ligjore parashikohej mëditje shtesë për të dielën si ditë pune. Mirëpo, disa punëdhënës, nuk e kanë respektuar këtë dhe kjo tani ju kthehet, shtojnë nga Organizata e Punëdhënësve. Odat ekonomike vlerësojnë se një zgjidhje e tillë ligjore do të ulë produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë vendore, si dhe do të ulë prurjen devizore nga shtetasit e vendeve fqinje që të dielave harxhojnë shuma të mëdha të holla për tregti, dhe shërbime të ndryshme si ato të dentistëve, dhe mjekëve të tjerë në qytetet tej kufitare ku gravitojnë banorët e shteteve fqinje.

Ndryshe, punën të dielën e mbrojnë Gjermania, Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Luksemburgu, ndërsa ditë të caktuara të së dielave në vit me dyqane që mund të punojnë kanë Polonia, Holanda, Sllovenia, Spanja… Jashtë BE-së, në Norvegji dhe Zvicër nuk punojnë shitoret të dielën. Përkufizimi i punës për ditën e diel është në përkufizim edhe me Direktivën Evropiane për balancë midis jetës private dhe biznesore, që e ka miratuar Parlamenti Evropian në vitin 2019, dhe që duhet të implementohet në legjislacionin e shteteve anëtare deri më vitin 2022. Harmonizimi i obligimeve familjare dhe punës, është një nga çështjet shoqërore-politike me prioritetet për BE-në, që disa shtete e kanë zgjidhur që moti. Ajo pritet të mundësojë ndër të tjerash, që prindërit të kërkojnë orar të shkurtuar apo fleksibil të punës, punë nga shtëpia atje ku mund të harmonizohen obligimet familjare dhe të punës. Me fjalë tjera, kjo direktivë ka për qëllim edhe ballafaqimin evropian me plakjen e popullatës, uljen e natalitetit, që do të sjellë tronditje ekonomike, andaj edhe nevojitet të përmirësohet pozita e prindërve të punësuar, për shkak se nuk mund të rritet nataliteti me angazhimet e shumta në punë. (koha.mk)