Lëvizja Qytetare “Eco Guerilla” ka reaguar pas takimit të fundit të sindikatës së të punësuarve në “Jugohrom” me kryeministrin Zaev. Nga kjo lëvizje përkujtojnë se ekzekutivi i ri duhet të ketë parasysh faktin që ajri i Tetovës është për 56% më i pastër, krahasuar me periudhën kur ndotësi më i madh i Pollogut punonte normalisht. “Qeveria duhet të mendojë për shëndetin e qytetarëve”,- thonë nga “Jugohrom”, pas deklaratës optimiste të sindikatës, se kanë marrë sinjale se “Jugohrom” do të hapet. Lëvizja “Eco Guerilla” është e prerë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje në kurriz të shëndetit të qytetarëve.
“Kjo kërkesë është në kundërshtim me ligjin dhe si e tillë është e papranueshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Nuk mund t’i besojmë një kompani off-shore, aq më pakë “Jugohromit”, e cila deri tani ka shkelur çdo afat që i është dhënë duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Nga nëntori 2016 e këndej, periudha ku nuk ka punuar “Jugohromi”, ndotja ka rënë për mesatarisht 56%. Nuk mund të bëjmë kompromis me shëndetin e qytetarëve për profitin e korporatave të papërgjegjshme, siç është kryerësi në fjalë. U bëjmë thirrje edhe autoriteteve që t’i thërrasin arsyes dhe mos të lejojnë rihapjen e këtij ndotësi pa filtra në asnjë mënyrë”,- deklaroi Arjanit Xhaferi nga L. Q. “Eco Guerilla”.
“Eco Guerilla” thotë se qeveria e re duhet të diskutojë edhe masat urgjente që duhen ndërmarrë për të arritur një mjedis edhe më të pastër jetësor jo vetëm në rajonin e Pollogut, por edhe në nivel nacional.