Klubi parisien me shumë gjasë do të ndryshojë trajnerin sezonin tjetër Fillimisht Jose Mourinho, tani edhe Antonio Conte është në listën e pronarëve të Paris Saint-Germain, për ta emëruar në stolin e trajnerit. Ndonëse skuadra po funksionon shumë mirë këtë sezon me Unai Emeryn, duket se marrëdhëniet mes tij dhe yllit të ekipit, Neymar kanë bërë që spanjolli mos të ketë të ardhme të gjatë në Parc des Princes. Sipas asaj që shkruan Le Parisien, Emery e ka për kusht që të paktën të arrijë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, me PSG-në këtë vit ose përndryshe në vendin e tij do të ulet Conte, që duket se në përfundim të sezonit do të largohet nga Chelsea. Conte ka kontratë me Blutë deri në vitin 2019, kurse kontrata e Emery me PSG-në skadon në fund të këtij sezoni.