Shkruan Fejzi Hajdari

Shqiptarët kanë shumë dilema për Marrëveshjen e Prespës (Maqedoni-Greqi), por nuk kanë dilemë se bindshëm do të votojnë “PRO” kësaj marrëveshje. Defektet që ka kjo marrëveshje, lidhur me shqiptarët e Maqedonisë, janë mjaft të mëdha dhe brengosëse.
Aq të mëdha, saqë ndonjëherë të krijojnë bindjen se Greqia problemin kryesor nuk e paska pasur me emrin Maqedoni, as me maqedonasit, por me shqiptarët e Maqedonisë (si mund të interpretohet ndryshe insistimi që si gjuhë zyrtare në Marrëveshje të përmendet “makedonski”, kurse qytetarët e Maqedonisë, të emërohen “makedonca”).

Megjithatë, dëshira e shqiptarëve për të qenë pjesë e NATO-s dhe e BE-së është edhe më e madhe se defektet që përmban Marrëveshja e Prespës. Këtu bazohet vlerësimi im se shqiptarët do të përkrahin bindshëm referendumin e 30 shtatorit.
Debati që po zhvillohet te opinioni shqiptar lidhur me defektet e marrëveshjes Greqi-Maqedoni, është plotësisht legjitim. Edhe vërejtjet që po shprehen janë legjitime.

Intelektualët, mediat, gazetarët e guximshëm, po shpalosin haptazi vërejtjet dhe defektet e Marrëveshjes. Ashtu siç nuk frikoheshin deri dje të kritikojnë politikën qeveritare pro-ruse, ashtu edhe sot nuk frikohen të shprehin vërejtjet ndaj Marrëveshjes Maqedoni-Greqi. Mirëpo, gati çdo kritikë dhe vërejtje e tyre përfundon me porosinë që shqiptarët të përkrahin referendumin, sepse përfitimet prej tij janë më të mëdha, duke bërë në mënyrë të qartë se integrimet euro-atlantike janë alternative e vetme e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, frikacakët dhe pakurrizorët, vazhdojnë të bëjnë “amin”, pa asnjë kusht. Pa asnjë vërejtje… Ashtu siç bënin amin, deri dje, para politikës proruse të Qeverisë së kaluar, ashtu sot bëjnë amin dhe mbyllin sytë para defekteve të Marrëveshjes së Prespës.

Madje, tani po shfrytëzojnë rastin që në mënyrën më të ulët t’ju hakmerren intelektualëve, mediave dhe gazetarëve të pavarur, që kontribuan të fundoset qeveria proruse, duke i shpallur “prorusë”, vetëm pse tani kërkojnë pozicione më të forta shqiptare, para anëtarësimit në NATO dhe BE.

Edhe pse janë plotësisht të vetëdijshëm, në këtë mënyrë shpallin “proruse” edhe kërkesat legjitime të shqiptarëve. Mirëpo, ata dhe qëndrimet e tyre, nuk kanë qenë të rëndësishëm asnjëherë, nuk do të jenë të rëndësishëm, as kësaj radhe.
Konfuz, në këtë situatë, duket sjellja e ndërkombëtarëve. Përkrah dëshirës së qartë për të ndihmuar Maqedoninë për një referendum të suksesshëm, vërehen “gabime në hapa”. Gabime që si duket, më tepër janë pasojë e simpative politike që kultivojnë “filialet” e tyre në Shkup, se sa gabime që mund t’i përshkruhen “qendrave”.

Me siguri filialat nuk i kanë informuar përfaqësuesit e lartë, që o vizitojnë Maqedoninë, se shqiptarët jo me simpati shikojnë takimet dhe fotografimet e tyre me partnerët besnikë të VMRO-së. (Raporti i votave 165.000 me 85.000 qartë e tregon këtë). Sepse, falë besnikërisë së tyre, VMRO-ja qëndroi mbi 10 vite në pushtet, dhe gjatë kësaj kohe jo rrallëherë krerët e saj takoheshin me Putinin. Dhe, nëse ata, që deri dje përkrahnin miqtë e Putinit, aq shpejt janë bë properëndimorë (që personalisht dyshoj thellë), kush ua garanton shqiptarëve se nesër s’do të bëhen edhe proserbë, nëse është kushti i vetëm të mbeten në qeveri.

Prandaj, është mirë “filialet” të informojnë në mënyrë objektive “qendrat”, në kohën kur vota e shqiptarëve është kyçe për referendumin. T’ju thonë, për shembull, që “Mogerini mund të pin çaj edhe me Musën, jo vetëm me Bujarin, por shqiptarët nuk votojnë kundër referendumit”. Por, nëse do të tregonin një çikë më tepër principe ndaj shqiptarëve në Maqedoni, nuk do të ishte gjë e dëmshme. Përkundrazi!