Çfarë e shtyri Lëvizjen Besa të pranojë koalicion edhe me BDI-në të ciën shumë kohë e ka kritikuar për mënyrën e qeverisjes. A ndryshoi BDI apo BESA, apo ka ndonjë arsye tjetër. Në këto pyetje të parashtruara në emisionin e sontëm “Studio e Hapur” është përgjigjur detajisht kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.

“Ne nuk kemi partneritet me BDI-në dhe arsyeja e futjes tonë në Qeveri e kemi thënë edhe më herët është pikërisht pjesa tjetër e misionit, paraprakisht që e kishim deri sot. E kemi thënë me bindje të plotë dhe nuk e di pse ndonjëherë parashtrohet pyetje, ndoshta dyshohet në sinqeritetin tonë. Kemi qenë të bindur që Maqedonia është para një momenti historik dhe kemi qenë të bindur se duhet të gjitha kapacitetet të vendosen për të shtyrë këto procese. Dhe arsyeja kryesore ka qenë kjo. Nuk kemi bërë pazare politike, nuk kemi vendosur kushte se hyjmë në Qever me këto kushte apo me ato kushte. Ne kemi thënë se duam të jemi pjesë e një Qeverie e cila futet në NATO. Është si puna e milingonës kur digjej zjarri për djegjen e profetit Ibrahim. Për neve ka qenë me rëndësi nga cila anë jemi, jo se shuhet zjarri me atë kofë ujë që ne e hedhim në këtë zjarr, vetëm kemi dasht të jemi në anën pozitive të historisë, duke qenë të bindur se kjo është ana pozitive. Dhe me të gjithë kapacitetin që e kemi ne, aq sa e kemi jemi munduar ta fusim në këtë drejtim. Kjo është rruga që i kemi besuar, që i besojmë ende dhe po angazhohemi në këtë drejtim”, deklaroi Gashi. /SHENJA/