Dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. Pas 13 viteve punë në Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë dorëheqje nga detyra e Sekretarit të Qendrës në Besianë, Blerim Maqastena.

Këtë, Maqastena e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai thotë se bindja politike, sakrifica dhe përkushtimi, që dikur ishin vlera të padiskutueshme, sot janë zëvendësuar me lakmi, pozita e privilegje.

“Këtë na e tregon edhe gjuha me të cilën më kanë sulmuar mua dhe të tjerët, vetëm pse nuk pajtohemi me eliminimet politike që kishin marrë trajtë shqetësuese”, ka thënë Maqastena, përcjell Telegrafi.

Ndër të tjera, ai ka akuzuar Kurtin se ka etiketuar dhe manipuluar me aktivistët e Vetëvendosjes, për interesa të tij.

“Albin, aktivistët që deri dje ishin shokë të ngushtë në mes veti i ktheve kundër njëri tjetrit, duke etiketuar e duke manipuluar. E keqpërdor besimin e pakusht që njerëzit e kishin për juve. Tani as njerëzit e afërt me juve nuk do të besojnë. Sepse besimi ka për bazë dashurinë për tjetrin. Këtë gjë ata nuk e kanë më, sepse ti u a mësove të kundërtën, Për 1 vit rresht dhe shembull për modelin e ri të aktivistit, vetëm e vetëm që të zgjidhesh Kryetar. Tani nuk e kam të qartë se çfarë të duhet bajraktari kur më askush nuk beson në juve”, ka thënë ndër të tjera Maqestena.