Në ditën e pestë pas vërshimeve që morën mbi 20 jetëra dhe lanë pasoja të rënda për banorët e Hasanbegut, Stajkovcit, Haraçinës, Straçincës  dhe zonave të tjera të Shkupit, liderët e dy partive parlamentare shqiptare ende nuk e kanë parë të rrugës që të vizitojnë vendet e tragjedisë, raporton SHENJA.

As kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e as ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, ende nuk kanë shkelur në lagjet e përmbytura, ndërkohë që homologët e tyre maqedonas, janë në terren thuajse çdo ditë. Nga pamjet e publikuara në media, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev shihen jo vetëm duke vizituar këto zona, por edhe të veshur me çizme dhe duke ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në pastrimin e shtëpive private. Dy liderët e partive maqedonase nëçdo vizitë të tyre kanë sjellë edhe ndihma në makineri, ushqime dhe pajisje të tjera për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka vizituar disa vendbanimet që në natën e parë të vërshimeve dhe çdo ditë më vonë. Përveç tij në terren kanë dalë edhe funksionarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së të cilët poashtu janë parë duke punuar bashkë me qytetarët, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të LSDM-së opozitare. Por, kjo nuk është hera e parë që liderët shqiptarë nuk vizitojnë banorët e dëmtuar nga tragjedi të këtilla. Ahmeti e Thaçi nuk kanë shkelur as në Lagjen e Trimave në Kumanovë pas luftimeve të 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar edhe pse kanë kaluar tanimë 15 muaj. Në mungesë të tyre edhe zonat e banuara me shqiptarë janë vizituar nga liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Zoran Zaev ishte lideri i parë i një partie politike që vizitoi Lagjen e Trimave, ndërsa ish kryeministri Nikolla Gruevski, vizitoi Shipkovicën e Tetovës edhe vitin e kaluar në natën e vërshimeve edhe tani në përvjetorin e vërshimeve, i shoqëruar vetëm nga bashkëpartiakët e tij.