Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se nën presidentit Biden do të zhvillojë një vizitë në Ballkan nga 15 deri 17 gusht, gjatë së cilës do të takohet me presidentët dhe kryeministrat e të dy vendeve, por pa dhënë hollësi se cilat janë çështjet që do të diskutohen.

Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara transferuan në Serbi dy të burgosur nga burgu i Guantanamos. Sekretari i Shtetit John Kerry e falënderoi Serbinë për gjestin humanitar për pranimin e tyre.

Sekretari Kerry ishte në Kosovë dhe Serbi në dhjetor. Vizita në Kosovë vuri në pah shqetësimin e Perëndimit për ngadalësinë e përparimit 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Kosova ndeshet me një sfidë të re, ndërsa pritet miratimi nga parlamenti i Marrëveshjes së vijës kufitare me Malin e Zi, një çështje që muajt e fundit ka shkaktuar një krizë politike pas protestave të vazhdueshme të opozitës.

Në Kosovë ndërkohë, në qershor, një prej rrugëve të vendit, segmentit Gjilan-Ferizaj, pjesë e rrugës për në bazën ushtarake amerikane në Bondsteel, iu vu emri Beau Biden, për të nderuar djalin e nën presidentit Biden, i cili humbi jetën në 30 maj, 2015 nga sëmundja e kancerit në tru. Beau Biden kishte shërbyer në Kosovë në vitin 2001 si këshilltar ligjor i qeverisë.

Në mars nënpresidenti Biden u takua me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga në Shtëpinë e Bardhë, ku ai e falenderoi presidenten për “përpjekjet e saj kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe rolin udhëheqës në forcimin e demokracisë në Kosovë”.

Në nëntor, zoti Biden shkoi në Kroaci për të diskutuar rreth valës së emigrantëve nga Lindja e Mesme, rreth çështjeve energjitike dhe luftën kundër terrorizmit, me zyrtarët kroatë dhe Presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden anashkalon Maqedoninë sikur edhe burrështetasit tjerë që vizitojnë rajonin e Ballkanit.