Ekspertët: BDI dështoi në programin ekonomik

Pavarësisht se zhvillimi ekonomik mbetet një nga shtyllat kryesore të partisë së Ahmetit edhe për zgjedhjet e ardhshme, ekspertët hedhin dyshime për realizimin e këtij synimi. Sipas Visar Ademit, BDI deri më tani ka dështuar plotësisht në këtë segment dhe si pasojë zonat shqiptare kanë mbetura më pak të zhvilluara.

“Pollogu vazhdon të jetë rajoni më i pazhvilluar nga pesë rajonet që janë në Maqedoni. Shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë , kemi numra frapante që sipas Bankës Botërore 90.000 banorë kanë emigruar , shumica janë shqiptarë. Nuk kemi vende të reja të punës nuk kemi kapacitete të cilat hapen në Pollog”, deklaroi Visar Ademi, ekonomist.

Sipas Ademit madje edhe ato pak projekte të BDI-së në thelb i shërbejnë partnerit të koalicionit VMRO-së.

“Zona ekonomike në Tetovë punon me një kapacitet që nuk e di a është edhe gjysmak, që ka një ose dy investitorë të huaj , kemi një kompani që është fokusuar në Gostivar si koncept që do të vijë më vonë në Tetovë , mirëpo nëse e sheh strukturën e të punësuarve atje , ke 99% të punësuar maqedonas që importohen si fuqi punëtore prej Shkupi. Prandaj them që BDI vazhdon t’i shërbejë politikave ekonomike, politike , sociale të VMRO-së “, thkesoi Ademi.

Sipas Ademit është qesharake të flitet për arritje të suksesshme në fushën ekonomike kur sot shqiptarët ballafaqohen me probleme jetike, si mungesa e ujit të pijshëm, problemet e shumta ekologjike, mbeturina e të ngjashme.