Përderisa Gjykata Kushtetuese akoma po mban pezull shqyrtimin e kushtetutshmërisë së kryqit në Butel, ekspertët thonë se kjo nuk është e rastësishme. Ish-gjykatësi Kushtetues Trendafil Ivanovski, këtë zvarritje të çështjes së kryqit, e konsideron si jo-seriozitet. Sipas tij nuk bëhet fjalë për vështirësinë e gjetjes së argumenteve, por bëhet fjalë për lojë të pandershme që ndodh brenda këtij institucioni.

“Vjen deri te një lojë që një herë të caktohet seancë, pastaj prapë të caktohet seanca tjetër, e gjithë kjo është të dëshmohet para publikut se gjoja ka gatishmëri të zgjidhet problemi, megjithatë për arsye të ndryshme nuk mund ta zgjedhë. Mendoj se kjo nuk është një mënyrë e drejtë dhe juridike e të punuarit. Dy anulime të seancave tregojën se diçka tjetër është në pyetje”, deklaroi Trendafill Ivanovski, ish-gjykatës Kushtetues.

Ndërkaq Mersim Maksuti mendon se tërheqja e vendimit për ndërtimin e kryqit gjigand do të ishte një hap i cili do të dëshmonte për harmoninë ndër-etnike në vend.

“Patjetër Gjykata Kushtetuese në vijë të funksionimit të saj si organ kushtetues duhet të mbrojë kushtetutën e këtij vendi, duhet të mbrojë demokracinë e këtij vendi, duhet të mbrojë bashkëjetesën qytetare në këtë vend mbi të gjitha raportet etnike, maqedonase dhe atyre shqiptare. Nuk ka zgjidhje tjetër pos që të sjellë një vendim i cili do të respektojë parimin e Badinterit edhe në marrjen e vendimeve të saj për të gjitha çështjet vitale që prekin raportet ndëretnike edhe në nivel komunal edhe në nivel nacional të këtij vendi”, tha Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Nisma për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendosjes së kryqit në Butel është parashtruar më shumë se dy muaj më parë nga Ziadin Sela, mirëpo një ditë më parë ishte tentativa e tretë e pasuskseshme e këtij institucioni për tu deklaruar për këtë simbol fetar.

 

https://www.youtube.com/watch?v=OdIJ-OvyqL8