Zgjedhja e kuadrove partiak të BDI-së në universitetin e ri “Nënë Tereza”, nga njohësit e çështjeve arsimore komentohet si një akt i pritur që nga hedhja e idesë për universitet të ri. Sipas ish ministrit të arsimit Sulejman Rushiti, me veprime të tilla pushteti po shkatërron arsimin shqip në Maqedoni.

“Për fatin tonë të keq këta i kaluan edhe paragjykimet tona dhe skepticizmin tonë. Në emrin tonë ndajnë vende punë dhe aspak nuk ka strategji për zhvillimin e kombit. Ajo që është e keqja më me madhe është se shkatërrojnë edhe të ardhmen duke shkatërruar sidomos arsimin e lartë”, deklaroi Sulejman Rushiti, ish ministër i arsimit.

I të njëjtit mendim me të është edhe profesori Arsim Sinani i cili konsideron se politizimi i arsimit të lartë daton prej vitesh. 

“Fatkeqësisht partitë politike shqiptare që nga viti 1990 e deri më sot, janë munduar që njerëzit të cilët nuk meritojnë, ti vendosin në institucione arsimore prandaj ne e kemi këtë gjendje, përveç disa figurave, si Fati Iseni që e ka vendin aty, përndryshe sistemimi i aktivistëve partiak në institucione arsimore vetëm do ta vështirësojë gjendjen e vështirë të shqiptarëve në arsim”, tha profesori Arsim Sinani.

Informacionet për bashkimin e UNT-së me UEJL-në, Rushiti e quan veprim jo të logjikshëm. Sipas tij, partia në pushtet institucionet shtetërore po i kthen në prona private.

“Kjo parti themelon institucione të cilët më pastaj i shndërron në institucione private dhe mbarëvajtjen e tyre e mbështet mbi paratë e popullit. Pra financohet nga paratë e popullit, ndërsa shitet si institucion shtetëror”, u shpreh Rushiti.

Profesori Sinani, bashkimin e universiteteve e quan gabim strategjik. Ai thotë se partia në pushtet do të ketë përgjegjësi historike për këtë veprim.

“Ideja ishte të ketë dy universitete, ndërsa unë jam të ketë tre dhe të funksionojnë paralelisht dhe të ketë konkurrencë. Dje UEJL dëshironte të bashkohet me USHT-në, kjo dështoi, ndërsa tani UEJL dëshiron të bashkohet më UNT-në. Është gabim strategjik dhe i ftoj akademikët që mos ta pranojnë këtë bashkim sepse kjo është në dëm të arsimit të shqiptarëve të Maqedonisë”, deklaroi Sinani.

Rushiti dhe Sinani njëzëri vënë në dyshim suksesin e universitetit dhe ndikimin e tij në cilësinë e arsimit të lart. BDI që nga shpalosja e idesë për hapjen e universiteti të ri, propagandoi me retorikë se i njëjti nuk do të ngulfatet nga kuadro partiak. Një gjë të tillë e kishte premtuar edhe vet kreu i BDI-së./Alsat-M