Nga Jakup Krasniqi

 
 
 
 
Kryeministër, një nga anët e forta në fushatën tuaj zgjedhore të vitit 2014 ka qenë premtimi i “vendosur” se kurrë nuk do të bëheni bashkë me kapësit e institucioneve të shtetit. Pra, po ta merrnit votën, ju do t’i ç’kapnit ato, por ju e bëtë të kundërtën, sepse u bërë bashkë me kapsit e institucioneve të pavarura të shtetit. Premtove pavarësimin e gjyqësorit, por ç’është e vërteta, djemtë e tu arrite t’i shpëtosh nga ndjekja penale. I ç’kape apo i kape institucionet e pavarura të shtetit? Cila është e vërteta, sepse dy të vërteta, më sa di, nuk mund të ketë për asnjë premisë apo logjikë të thjeshtë. Premtove se do ta hapësh një epokë të re investimesh e zhvillimi, ndërsa ne nuk po shohim as investime e as zhvillim. Ashtu siç e pate bërë llugë kryeqytetin tonë, Prishtinën, tani po e bënë llugë të gjithë Kosovën. Premtuat se do t’i hapnit 120 000 vende të reja pune, por i “punësuat” pikërisht po aq, por me një ndryshim të dhembshëm, duke i detyruar t’ia mësyjnë rrugëve ilegale të Evropës.
Premtove institucione të pavarura e funksionimin e tyre, sipas ligjeve në fuqi, ndërsa pikërisht ato institucione i mbushe me familjarë të qeveritarëve, sikur Kosova të ishte pashallëk yti.
Premtove me bujë se do ta luftosh korrupsionin, ndërsa 70 dosjeve tua për keqqeverisje të Prishtinës, ua shtuat jo pak dosje tenderësh për familjarët e tu në vend se të reflektonit.
Kryeministër si po e ndien veten? Pikërisht atë që premtove se nuk do ta bësh e ke bërë. Atë që e premtoje në mëngjes e demantoje vetë në mbrëmje. Pate thënë se nuk do të shkoni në Bruksel, shkuat atje si “tulipan i bardhë”. A të kujtohet kur Vuçiqi të pati thënë: “Mustafa vjen në Bruksel si tulipan i bardhë”. Pse nuk rezistove bile njëherë? Në këto raste po na vjen inati, pse nuk po mund të frenosh, bile njëherë.
Ke bërë dasmë në Qeveri për MSA-në, ndërsa MSA-ja nuk po zbatohet. Ke pritur e ke festuar si Qeveri për liberalizimin e vizave, ndërsa liberalizimi nuk po shihet gjëkundi. Ke premtuar ligjin për “Trepçë”-n në fillim të mandatit, e ligji ende nuk ka ardhur. “Trepçë”-n po e çon drejt falimentimit. Kujt po i konvenon kjo? Kosovës dhe qytetarëve të saj në asnjë mënyrë.
Je betuar e përbetuar se “Zajednica” është në përputhje të plotë me ligjet e Kushtetutën, por ajo doli kundërkushtetuese. Gjykata Kushtetuese tha shprehimisht: “Me marrëveshjen për ‘Zajednicën’, Kushtetuta është shkelur 23 herë”.
Ke premtuar reciprocitet me Serbinë, por e ke humbur me ka krejt sovranitetin e shtetit. Ke premtuar integrimin e Veriut, por për ironi e keni çintegruar edhe Jugun. Krejt çfarë ke premtuar, më vonë e ke demantuar. Pse nuk e thua një herë të kundërtën, ndoshta do të arrihej e duhura.
Ke premtuar arsim të dinjitetshëm për kombin, ndërsa e ke katandisur derisa nuk ka ku vete më, sepse po krijohen analfabetë potencialë, me fakultet e masterë e çmasterë.
Ke premtuar me bujë shtim të përkujdesjes shëndetësore, e shëndetësia publike është në fund të pusit dhe skajshmërisht e degraduar. Ministrat, mbase jo vetëm ata, po hanë nga xhepi i të sëmurëve, shërbime shëndetësore cilësore nuk ka, barnat esenciale mungojnë, spitalet janë bërë si hanet e shekullit XVII…
Çfarë po qeverisë, kur çdo gjë publike e ke degraduar pafundësisht, Fundja, a ndjenë përgjegjësi morale, se përgjegjësi ligjore nuk ka qëkur në këtë vend, më saktë qëkur ushtron edhe “zejen” e kryeministrit. Epo kjo nuk është mahi se dje si një“ish”, të përcolli paligjësia, e njëjta gjë po të ndodhë edhe sot. Natyrisht atëherë nuk e kishit këtë kryezeje. Viti shkollor filloi, saqë mund të thuhet edhe se nuk filloi. Libra ka, por edhe s’ka. Ministria e Punëve të Brendshme me pasaporta pa kurrfarë cilësie, e dënuar me miliona për një kontratë të dëmshme. Letra për certifikata të lindjes nuk ka, nuk ka as veshmbathje për policët… Këto janë ato që i dimë, e sa të tjera janë që ne nuk i dimë e as që ia kemi idenë…
Përveç këtyre që u thanë i keni formuar edhe dy komisione qeveritare: njëri komision vendit ia humbë mbi 8200 hektarë tokë, e tjetri ia vjedh milionat me lista të falsifikuara të veteranëve e të invalidëve të luftës. E kujt është këtu përgjegjësia? A ke menduar ndonjëherë se kështu shteti shkon drejt falimentimit e assesi drejt zhvillimit.
Kryeministër, me gjithë këto defekte të numëruara e me (pafund) të tjera të panumëruara, a mund të thuash se Kosova ka qeveri normale?
Kryeministër, a të mjaftuan dy vjet që të bëhesh pjesë e kapjes se shtetit dhe të institucioneve të pavarura të shtetit?
Eh, kryeministër sa shumë premtove e të gjitha në gjysmën e mandatit aq shpejt i harrove.
Kryeministër, i kishe 70 dosje në prokurori para se të bëhesh i pari i Qeverisë. Tregojini opinionit edhe sa dosje të janë shtuar si kryeministër i shtetit më të varfër të Evropës, ndonëse Kosova është e pasur me njerëz, me pasuri tokësore e nëntokësore.
Kryeministër, pse nuk e pavarësove Prokurorinë e Gjyqësorin e Kosovës? Mbase u pajtove me humbjen e sovranitetit të sistemit të drejtësisë, kur pranove krijimin e Gjykatës Speciale, sepse bëhet fjalë qartësisht për ndjekje një-etnike, pra të shqiptarëve. Kryeministër, pse nuk u bëre një herë të vetme lider dhe të thoshe me plot gojën: Ja ndjekje për çdo kriminel të luftës të kryer në territorin e Kosovës, ja nuk miratojmë Gjykatë Speciale për ndjekje speciale të pjesëtarëve (vetëm) të një kombi. Drejtësia ndërkombëtare nuk e njeh një rast të tillë kaq selektiv, pra një rast i paprecedentë.
Ç’u bë kryeministër ky transformim yti, derisa në fushatën zgjedhore i kishe disa pika të forta, në qeverisje (hiq më pak se dyvjeçare) u shndërrove në qull kaçamaku pa fije yndyre. Jua rikujtoj se, për një qull të tillë, Edit Durham thoshte: “Nuk e përpunon as lukthi i Leopardit”!