Ekspertët shprehin vlerësime të ndryshme rreth të ashtuquajturës deklaratë këshilluese të kryeministrit Edi Rama drejtuar liderëve politik shqiptar në vend. Ata shtrojnë dilemën se sa fitimprurës do të ishte për shqiptarët një draft i tillë, nëse me të nuk do të kushtëzohej pjesëmarrja e partive shqiptare në qeveri. Ekspertët ngrenë dyshime se deklarata nuk do të shërbente si platformë reale për negociata, pasi më shumë punë do të bënte kushtëzimi me vota se sa vetë deklarata. Për momentin, drafti mbahet i fshehtë dhe përmbajtja e deklaratës është ende e paqartë për opinionin, por ekspertët thonë se gjithsesi, nisma e Ramës dhe ulja në tryezë e politikanëve shqiptar është pozitive.

“Mendoj, si frymë uniteti na duhej, dhe unë e shoh pozitivisht si të tillë, por nuk është një platformë reale e cila do të ishte si bazë e një negociimi të fortë. Shqiptarët duhet ta artikulojnë këtë vullnet të vetin me votat kushtëzuese, sepse nuk ka qeveri pa këtë bllok shqiptarësh dhe nuk e di a do të kemi edhe një herë rastin në historinë tonë të ardhme politike me një pozicion të tillë. Ky është momenti që nuk e kemi pasur 25 vite. Megjithatë brenda ka elemente që më shumë janë degradime institucionale se sa në fakt që paraqet ndonjë platformë reale që do të ishte për negocime, por më shumë është një faktor uniteti shqiptar se sa diçka faktike”, deklaroi akademiku, Abdylmenaf Bexheti.

Bexheti shkon më tej, duke kritikuar edhe idenë për një ministri komunitetesh, duke theksuar se edhe sistemi aktual ka pasur institucione në shërbim të avancimit të pozitës së shqiptarëve, por ka munguar vullneti politik i realizimit si të normave ligjore ashtu edhe të vetë kërkesave shqiptare të buruara me kohën.

“Mendoj se është një formulim jo adekuat në këtë deklaratë në aspektin e saj se nga niveli i një Sekretariati për implementim të MO dhe arritjen e barabarësie të shqiptarë e ulim nivelin në një Ministri e komuniteti, pra ne kemi pasur një Sekretariat që ka pasur për detyrë barazinë politike, institucionale, juridike dhe ekonomike të shqiptarë dhe është udhëhequr në nivelin e zv.kryeministrit apo nënkryetarit të qeverisë…Ajo që është pak avancim këtu përmenden mekanizmat e votimit të dyfishtë në vendim-bërjen e barazisë ekonomike apo buxhetit”, shtoi Bexheti.

Edhe Shpëtim Pollozhani nuk ka shpresë te e ashtuquajtura ministri e komuniteteve.

“Formimi i dikasterit apo ministrisë për komunitetet kjo nuk është asgjë. Ne e dimë se çfarë ndodhi me Marrëveshjen e Ohrit edhe në këtë dikaster mund të plotësohen 20 apo 50 vetë por kjo do të jetë një zgjidhje individuale por nuk do jetë çështje kolektive. Partitë politike shqiptare duhet të shkojnë me kërkesa më reale dhe më të realizueshme kjo për mua është takim i suksesshëm por rezultati ka dështuar”, tha Shpëtim Pollozhani, Kryetar i Shoqatës së të ish burgosurve dhe përndjekurve politik shqiptar.

Mersim Maksutin sheh një fije shprese te deklarata në përgjithësi, duke theksuar se ajo forcon elementin shtetformues të shqiptarëve dhe i jep fund çështjes së gjuhës.

“Për herë të parë me një deklaratë me një akt hyn emërtimi i shtetformësisë se shqiptarët do ta gëzojnë elementin shtet-formues dhe ky është aspekti më i rëndësishëm dhe më këtë i mbulojmë të gjitha defektet, zbrazëtirat që kanë të bëjnë me statusin, të drejtat e shqiptarëve në këtë vend..por edhe një moment që çështja e përdorimit të gjuhës shqipe të jetë në trajtim të barabartë”, deklaroi eksperti juridik Mersim Maksuti.

Gjithsesi, ekspertët ndajnë qëndrimin se ky është momenti më i mirë që nga konflikti, që shqiptarët të artikulojnë dhe këmbëngulin për realizimin e të drejtave të tyre.Alsat-M