Zgjedhjet e parapara për më 5 qershor, Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski duhej t’i shpallte para shpërbërjes së shtëpisë ligjvënëse pasi vetëm në këtë mënyrë nuk do të shkelej Ligji për Kuvendin dhe Kushtetuta. Kështu thotë profesori i së drejtës kushtetuese Temelko Risteski. Sipas tij, përkundër shpërbërjes së Kuvendit, deputetëve mandati nuk u skadon, ata llogariten deputet deri në verifikimin e mandateve të deputetëve të ri, por e njëjta gjë nuk vazhdon edhe për kryetarin Veljanovski.

“Roli i kryetarit aktual në rastin konkret është vetëm si një deputet i thjesht pasi ai nuk është më kryetar, por vetëm një deputet të cilit ende nuk i ka skaduar mandati. Si deputet, Veljanovski nuk mund të shpallë zgjedhje, zgjedhje mund të shpallë vetëm kryetari kuvendit i cili është ende pa u shpërbërë. Gjërat do të ishin më të qarta nëse kryetari i kuvendit do t’i shpallte zgjedhjet para shpërbërjes së kuvendit, atëherë nuk do të kishte asnjë dilem, kurse tani hapen vërtet dilema të vështira se vallë kryetari i cili është vetëm një deputet mund të shpall zgjedhjet”, deklaroi eksperti juridik Temelko Risteski.

Ndërkohë eksperti juridik Mersin Maksuti thotë pas shpërbërjes së Kuvendit, nëse zgjedhjet shpallen nga ish kryetari Veljanovski, atëherë ai do të bëjë një uzurpim klasik të Kushtetutës. Ai vlerëson se në situatën e krijuar zgjidhjet mund të shpallen vetëm në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje të re politike.

“Pra çfarë duhet bërë në këtë situatë më tutje, Kushtetuta paraqet një vakum juridik pasi nuk parasheh se si duhet vepruar në situata të tilla. Zgjedhjet e radhës në vend mund të shpallen vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re politike mes subjekteve më të rëndësishme politike, subjektet që nënshkruan Marrëveshjen e Përzhinës dhe mbi të cilët qëndron përgjegjësia për implementimin e saj të plotë”, thotë eksperti juridik Mersin Maksuti.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit ditë më parë reaguan edhe ndaj disa vlerësimeve nga ngjashme nga e ekspertë të tjerë. Në reagim shtrohet pyetje se si është mundur që njëherë të shpallen zgjedhjet dhe më pas të shpërbëhet Kuvendi. Pretendimet e tilla nga Kuvendi i quajnë politike nga të cilat edhe “Arkimedi do të rrotullohej në varr”. Sipas nenit 63 të kushtetutës, Kuvendi mund të shpërbëhet në çdo kohë nëse për këtë vendos shumica parlamentare…Ngjashëm është vepruar edhe në zgjedhjet e viti 2008, 2011 dhe 2014, thuhet më tej në reagim./Alsat-m