Ne jemi të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje dhe jemi duke punuar që në ato zgjedhje ta mundim bindshëm BDI-në. Kështu, tha kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, gjatë një takimi me simpatizantët e kësaj partie në Bogovinë. Numri një i PDSH-së,duke folur për situatën aktuale politike në vend, nënvizoi se PDSH-ja do të merr pjesë në zgjedhje por nëse plotësohen kushtet, dhe nëse nuk plotësohen kushtet mund të bojkotojë zgjedhjet edhe në ditën kur do të mbahen.

“Kjo është fjalia e parë që e thash dhe duket shumë e ashpër. Qëllimisht e thash, sepse po ta kisha thënë fjalinë e parë ne do t`i bojkotojmë zgjedhjet nëse nuk përmbushen të gjitha kushtet, do të rrezikonim që të na thonë se këta kanë frikë se do t`i humbin zgjedhjet prandaj edhe i bojkotojnë. Nëse nuk përmbushen të gjitha kushtet për të cilat jemi marrë vesh, ne mund t`i bojkotojmë zgjedhjet edhe në ditën kur do të mbahen ato, që do të thotë se nuk duhet patur shqetësim prej tani. Ne prej tani nuk mund të dalim me një qëndrim për bojkotim të zgjedhjeve për shkak se tek strukturat sjellim huti.Të gjitha kushtet që janë vendos, ka afate që do të duhet të përmbushen dhe normalisht tek shqiptarët shkeljet në proceset zgejdhore kanë qenë shumë më të rënda sa tek maqedonasit. Unë habitem kur disa shqiptarë kanë gajle ma tepër se si janë zgjedhjet tek maqedonasit se sa tek shqiptarët dhe thonë me gojën plot se VMRO-ja, ka vjedhur votat LSDM-së, kurse BDI-ja nuk i paska vjedhur PDSH-së. Ne themi 14 vite se vota dhunohet dhe nuk humbim, ne themi 14 vite se rezultati në Kërçovë është skandaloz, 18 mijë me 170 dhe kjo përsëritet në shumë zona tjera. Kemi garanca nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës së kësaj radhe nuk do të tolerojnë asnjë shkelje në zgjedhje”, tha Thaçi

“Poashtu ka disa zëra se kemi bërë shumë kompromise, po kemi bërë por në interes të çështjes kombëtare. Kërkesa e ndërmjetësuesit Van Hojte ka qenë që ata që janë jashtë shtetit të largohen nga lista zgjedhore dhe ne kemi këmbëngulur që ato mos largohen, sepse 90 përqind janë shqiptarë edhe pse kemi pasur ankesa se BDI-ja me ato votues i vjedh votat, unë kam insistuar që ata të jenë në lista sepse nëse njëherë të hjek nga lista të hjek për gjithçka edhe për trashëgimi edhe për pasuri. Ne kemi insistuar që ata të mos hiqen nga lista zgjedhore dhe të quhen jorezident dhe ky është suksesi ynë. Po ju them se ne bëjmë aktivitete sikur të ketë zgejdhje nesër, por mos mashtrohet BDI-ja se ne do të pranojmë të shkojmë në zgjedhje si në 14 vitet e kaluara. Qëndrimi jonë është paralel me atë të Bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi lideri I PDSH-së,

Në ndërkohë, ai ka nënvizuar se nëse Ahmeti dhe Gruevski tentojnë të vjedhin votat do të përfundojnë keq.

“Nëse Gruevski dhe Ahmeti tentojnë të përsërisin të njejtat rite të zgjedhjeve si në të kaluarën edhe mund ti fitojnë por mund të përfundojnë si Millosheviqi.Nuk është shaka, unë jam i bindur se bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojnë zgjedhje jo të lira, sepse lejimi i tyre nënkupton krijimin e institucioneve tërësisht të kompromentuara apo të kriminalizuara”, përfundoi Thaçi,

Kreu i PDSH-së, më tej është shprehur se të gjitha rastet e presioneve ndaj administratës dhe keqpëdorimi të denoncohen tek shtabet e partisë, dhe më pas ai vet të njejtat do t`ia dorëzojë ambasadorit të SHBA-ve.