Ekspertiza neuropsikiatrike e bërë nga ekspert pa licencë nuk mund të merret si dëshmi në procedurë penale, shprehen ekspertët. Sipas avokatit Angjell Gjorgjievski, ligji mbi ekspertizën ligjore saktëson qartë procedurën për përgatitjen dhe pranimin e saj si dëshmi.

Nëse në kohën e kryerjes së ekspertizës, eksperti ligjorë nuk ka licencë valide, atëherë ajo ekspertizë nuk ka asnjë fuqi dhe vlerë ligjore si dëshmi në procedurë penale dhe këtu nuk ka dilema tjera – tha avokati Angjell Gjorgjivski.

Gjorgjievski shton se në këtë situatë kur procesi është në fazën e fjalëve përfundimtare, me argumentimin e dyshimeve për ekspertizë të përgatitur nga ekspert pa licencë, Prokuroria duhet të tërheq raportin neuropsikiatrik si dëshmi dhe të propozoj ekspertizë të re.

Absolutisht që Prokurori i lëndës mund të kërkojë precizim të aktakuzës në fjalët përfundimtare. është detyrë e tij jo vetëm të kërkojë por edhe e ka për obligim të përgatisë ekspertizë të re. Nëse janë argumentuar dyshimet për rrethanat në fjalë. Prokurori i lëndës është i vetmi person që ka të drejtë ligjore për të kërkuar ekspertizë të re nga ekspert ligjore qoftë një ose ekip i ekspertëve – theksoi Angjell Gjorgjivski.

Eksperti neuropsikiatrik i cili ka përgatitur ekspertizën në rastin e Almirit për të akuzuarin Boban Iliq, Branisllav Stefanovski mbetet i pakapshëm për prononcim. Nga procesverbali i seancës gjyqësore të mbajtur më 5 maj 2017, rezulton se avokatët mbrojtës të familjes Aliu kishin kundërshtuar ekspertizën në përgjithësi për dy arsye. E para se ekspertiza është përgatitur nga ekspertë pa licenca, si Branisllav Stefanovski dhe Zoja Babinkostvova dhe e dyta se në përgatitjen e saj nuk është marr për bazë deklarimi i familjarëve të Almir Aliut por thjeshtë ai i Boban Iliq. Në këtë situatë, Ligji për ekspertizë nxjerr para aktit të kryer Prokurorinë Publike dhe ekspertët, pasi që neni 5, paragrafi 1 thekson qartë se ekspertizë mundë të kryejnë vetëm ekspertët që kanë licenca valide. Pavarësisht kësaj, pas zbulimit të Alsat në lidhje me ekspertizën e Boabn Iliq, i akuzuar për vrasjen e Almir Aliut, Gjykata Themelore e Kumanovës dhe Prokuroria Publike kumtuan se nuk mbajnë përgjegjësi për licencat e ekspertëve. Organet e zbatimit të ligjit rekomanduan që përgjegjësi të kërkojmë nga Klinika Universitare e Psikiatrisë në Shkup, por edhe ky institucion nuk pranon përgjegjësi. Ish drejtori i kësaj klinike, Antoni Novotni i cili kishte angazhuar ekipin e ekspertëve në këtë rast, theksoi se mungesa e licencës nuk vë në dyshim ekspertizën. Seanca e radhës për rastin e Almirit është caktuar për 2 prill ku mbrojta e familjes Aliu në fjalët përfundimtare, para trupit gjykues do të ngrit çështjen e licencave të ekspertëve./ALSAT-M