Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar Bashkimit Evropian marrjen e një vendimi për pranimin e vendit të tij në bllok, një javë përpara se krerët e BE-së të mblidhen në një samit për të diskutuar çështjen.
“Paraqitni deklaratën tuaj dhe le të merret një vendim mbi këtë çështje. Ne nuk kemi nevojë për ju”, tha ai sot, gjatë një takimi të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), duke iu drejtuar liderëve të vendeve anëtare të BE-së.
Bisedimet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian për pranimin e saj si anëtare e BE-së kanë mbetur pezull , pas përpjekjejes për grusht shteti në Turqi, vitin e kaluar, që solli një sërë dënimesh nga qeveria turke.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se çështja e Turqisë për t’u bashkuar me BE-në do të diskutohej në samitin e ardhshëm, më 19-20 tetor.
Aktualisht, Gjermania është përfshirë në një valë tensionesh diplomatike me Turqinë mbi ndalimin e shtetasve gjermanë pas grushtit të shtetit, vitin e kaluar, dhe ka shprehur hezitimin e saj lidhur me zgjerimin e negociatave të Turqisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.